×
  • Lajme
  • Lajme / Akuzat për krime lufte

    Tefik Mustafës i caktohet masë paraburgimi prej 30 ditësh

    Reporteri
    03 Qershor 2024 | 20:44

    Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Beograd, ia ka caktuar shtetasit të Kosovës, Tefik Mustafës, masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

    “I pandehuri M.T është i akuzuar për kryerje të krimeve të luftës kundër popullatës civile, si bashkëkryes”, është thënë në vendim.

    Sipas vendimit, masa e paraburgimit është caktuar për shkak të rrezikut të ikjes së të pandehurit, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Vendimi do të mund të apelohet pas tre ditëve të hyjes në fuqi të vendimit.

    Tefik Mustafa është arrestuar më 1 qershor nga autoritetet serbe, nën dyshimet për “krime lufte”.

    Zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë më 1 qershor se Mustafa “anëtar i Ushtrisë Çlimtare të Kosovës, është përmendur nëpër deklarata të dëshmitarëve si pjesëmarrës në kidnapimin e zyrtarëve policorë, Goran Marinkoviq, Zhivojin Paviq dhe Predrag Millosheviq, më 19 qershor 1999 afër Llabjanit, në magjistralen Prishtinë-Gjilan, dhe më pas u janë zhdukur gjurmët”.

    Ministria e Jashtme e Kosovës e ka konsideruar ndalimin e Mustafës si arbitrar dhe ka kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tij.

    Në tre vjetët e fundit, në Serbi janë arrestuar disa shtetas të Kosovës, për siç është thënë, dyshimet se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë në periudhën 1998-99.

    Më 17 prill të këtij viti, autoritetet serbe e kanë arrestuar shtetasin tjetër të Kosovës, Sadik Durakun, nën dyshimet e njëjta, në njërin prej pikëkalimeve kufitare Kosovë-Serbi.

    Familjarët e tij i kanë hedhur poshtë akuzat, duke thënë se Duraku ka jetuar në Angli në atë periudhë, bashkë me familjen e tij.

    Duraku është arrestuar në një vendkalim kufitar mes Kroacisë dhe Serbisë dhe një gjykatë serbe ia ka caktuar masën e paraburgimit po atë muaj.

    Më herët gjatë vitit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Serbinë për, siç ka thënë ai, arrestime të padrejta, të qëllimshme dhe dashakeqe të qytetarëve të Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!