Ilir Abdullahut i njohur si Liza, i është vazhduar paraburgimi edhe dy muaj.
Ai dyshohet se është i përfshirë në vrasjen e policit Triumf Riza.
Lajmin për gazetën online Reporteri.net, e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelores në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit I.A, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 31.05.2024 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës , ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit I.A iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”, thuhet në përgjigjen e Gashit.
Kujtojmë se 16 tetor 2023 Gjykata Themelore në Prishtinë ia kishte zëvendësuar Abdullahut masën e paraburgimit me atë të dorëzanisë në vlerën prej 100 mijë euro, por Gjykata e Apelit më 3 nëntor 2023 e ka kthyer në paraburgim të dyshuarin për përfshirje në vrasjen e policit Triumf Riza, Ilir Abdullahu, i njohur si “Liza”.
Më 30 gusht të vitit 2007 në Prishtinën, Triumf Riza që shërbente si polic në Shërbimin Policor të Kosovës kishte mbetur i vrarë. Në drejtim të tij u gjuajtën 11 plumba, ku tre nga ta e goditën duke e plagosur Rizën për vdekje.
I akuzuari për shtytje në vrasje të policit Triumf Riza më 2007, Enver Sekiraqa, që nga 17.05.2024 vazhdon të jetë në arrati, ndonëse ndaj tij tashmë ekziston një vendim që të kthehet në paraburgim.
Pas vendimit të fundit të Gjykatës së Apelit, Sekiraqa do të duhej që të ishte në paraburgim nga masa paraprake që ishte në liri që nga data 03.05.2024, kur ishte shpallur aktgjykimi ndaj tij dhe i ishte zëvendësuar masa nga arresti shtëpiak, por që ende nuk dihet vendndodhja e tij.
Ai tashmë është shpallur në kërkim nga Polica e Kosovës. /Reporteri.net/
Supremja konfirmon vendimin e Apelit për kthimin e Enver Sekiraqës në paraburgim