×
  • Lajme
  • Lajme

    Osmani për shpronësimet në veri: Kosova respektoi ligjin, aleatëve t’u sqarohet më në detaje

    Reporteri
    07 Qershor 2024 | 12:53
    Foto e presidentes, Vjosa Osmani - arkiv

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani,  është deklaruar rreth reagimit të djeshëm të QUINT-it për disa shpronësime në veri të Republikë së Kosovës.

    Osmani ka thënë se kjo çështje duhet të analizohet vetëm në aspekt të respektimit të ligjeve e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe gjithashtu edhe respektimit të standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

    “Çështja e shpronësimeve për çdo qytetar, pavarësisht etnisë duhet të analizohet vetëm në kontekst të përputhshmërisë me ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës. Çështja e shpronësimeve ka rregulla të caktuara, dhe këto rregulla jo vetëm që përcaktohen jo vetëm me ligjet tona por edhe me standardet e gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut. Për aq sa respektohen këto standarde, është një test pesë hapësh i paraparë nga vendimet e gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut. Përderisa aplikohet ky standard dhe respektohen këto pesë hapa, kjo nënkupton se është zbatuar edhe ligji ynë edhe kërkesat tona kushtetuese dhe edhe kërkesat  e standardet e gjykatës evropiane, si presidente e Kosovës e përkrah çdo veprim që është në interes të sigurisë nacionale dhe qytetareve pa dallim”, ka thënë Osmani.

    Tutje e para e shtetit ka thënë se mbase ka ende hapësirë për komunikim në mes të institucioneve përgjegjëse dhe partnerëve për të sqaruar në detaje dhe për t’u siguruar të gjithë që e tëra që Kosova ka bërë është respektim i standardeve të Gjykatës Evropiane.

    Osmani ka thënë se s’sheh tendencë për diskriminim në baza etnike por thjesht respektim të standardeve.

    Besoj që ka ndoshta ende hapësirë për komunikim që të sqarohen në detaje nga institucionet përgjegjëse tek partnerët , në mënyrë që të sigurohen që të gjithë, që e tëra që Kosova ka bërë është që ka respektuar standardet e gjykatës evropiane. S’shoh tendencë për diskriminim mbi baza etnike, por thjesht respektim i standardeve.

    Detyra jonë është që të mbrojmë secilin qytetar pa dallim etnie dhe ta mbrojmë çdo cep të Kosovës”, ka përfunduar Osmani.

    Ambasadat e shteteve të QUINT-it – Shtetet e Bashkuara (SHBA), Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca e Italia -Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Prishtinë dhe Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë kanë kritikuar të enjten Qeverinë për vendimin për të finalizuar shpronësimin e mbi 100 parcelave në komunat me shumicë serbe në veri.

    Në deklaratën e përbashkët thuhet se “Qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit”. “Vërejmë se sistemi gjyqësor i Kosovës ka identifikuar shqetësime të ngjashme ligjore me vendimin preliminar të shpronësimit, të cilin Qeveria ende nuk e ka adresuar”, thuhet në reagimin e QUINT-it, BE-së dhe OSBE-së.

    Qeveria e Kosovës i është përgjigjur kritikës së vendeve të QUINT-it, Bashkimit Evropian dhe OSBE-së për shpronësimin e tokave në veri të vendit.

    Në reagimin e ekzekutivit të publikuar në Facebook, lidhur me deklaratën e tyre të përbashkët se “Qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit”, thuhet se shpronësimet vlerësohen nga ligjshmëria dhe jo nga etnia.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!