Kuvendi i Kosovës po mban seancë solemne për ardhjen e mikut të madh të Kosovës, ish-kryeministrin britanik, Tony Blair. Vizita e tij po shënohet në 25-vjetorin e çlirimi dhe përfundimit të fushatës 78-ditëshe të bombardimeve të NATO-s mbi ish-Jugosllavinë, shkruan Reporteri.net.
Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, derisa ka falënderuar Blairin për gjithë kontributin e tij në Kosovë, ia ka dhënë fjalën.
Blair u mirëpret me duartrokitje dhe mori fjalën.
Ish-kryeministri Blair tha se sot përkujtojmë kontributin dhe sakrificën e të gjithë atyre që për lirinë dhe pavarësinë e vendit nuk kursyen asgjë.
“Nuk mund t’ju falënderoj për mirëpritjen që keni bërë ndaj meje. Në këtë ditë 25 vjet më parë u arrit marrëveshja. Kosova më në fund u lirua, njerëzit mund të jetojnë, të shpresojnë, të besojnë sërish në të ardhmen e lirë nga presioni dhe padrejtësia. Sot kujtojmë ata që vdiqën, që dhanë jetën për çlirimin e këtij kombi. Ne kujtojmë guximin e tyre, sakrificën e tyre dhe shprehim mirënjohjen tonë të përjetshme për ta dhe për familjet e tyre. Takuam refugjatë kosovarë në kampet afër Shkupit, dëgjuam rrëfime prekëse. Në fytyrat e tyre kërkohej ndihmë. Ne ndihmuam dhe nuk jam penduar kurrë”, ka thënë Blair.
Duke iu referuar vendosmërisë së popullit të Kosovës për liri e pavarësi, ish-kryeministri i Britanisë së Madhe u shpreh se intervenimi në Kosovë nuk ishte vetëm për popullin e saj, por për të gjithë ata që besojnë se pa liri dhe demokraci nuk ka paqe e stabilitet.
Andaj, theksoi ish-kryeministri Blair, sot duhet vazhduar rruga që Kosova të bëhet pjesë e familjes evropiane.
Para seancës solemne, kryetari Glauk Konjufca, shoqëruar nga nënkryetarët e Kuvendit dhe shefi i Kabinetit, priti në zyrën e tij ish-kryeministrin britanik Blair, me të cilën biseduan për ngjarjet e vitit 1999, shkëmbyen pikëpamje lidhur me zhvillimet aktuale në Kosovë dhe perspektivën euro-atlantike të saj.
Në takim kryetari Konjufca falënderoi mikun e madh të Kosovës për mbështetjen e pakursyer të tij dhe të Britanisë së Madhe për Kosovën dhe popullin e saj në rrugën e saj të lirisë, pavarësisë e të zhvillimit.
“Të isha kryeministër atë kohë, më kthen në vëmendje edhe shumë gjëra tjera. Komplekset, stresi. Por para së gjithash, të takoja refugjatët atëkohë, t’ua dëgjoja historitë e tyre të tmerrshme, duke kërkuar ndihmë e duke u lutur për ndihmë… ne ndihmuam, dhe nuk do të ndjejmë keqardhje asnjëherë”, tha tutje.
Blair ka përmendur edhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Natyrisht, edhe me ndihmën e presidentit amerikan Bill Clinton, e shumë shteteve tjera, ne ndihmuam këtu. Asnjëri nga ne s’do të mund të ndihmonte pa fuqinë e juaj, popullit të Kosovës. Kosova është shtet i pavarur dhe i fuqishëm që në të ardhmen të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Të rinjtë e Kosovës janë të lumtur të jenë këtu. Veprimi gjithmonë është më i mirë se mosveprimi. Mosveprimi është po ashtu veprim por që sjellë pasoja. Shohim konfliktet në Ukrainë dhe në Gazë. Duhet të gjejmë rrugë për zgjidhje, duhet t’i mbështesim. Duhet vepruar sepse ka pasoja nëse dështojmë të veprojmë”, u shpreh Blair.
“E di që Kosova ende po përballet me sfida. Ka shumë shtete që nuk e njohin ende Kosovën, dhe duhet punuar që ato ta njohin. Duhet t’ju japim të rinjëve të Kosovës më shumë gjëra për të ardhmen. Bota po ndryshon shumë shpejtë. Le ta imagjinojmë për pak këtë të ardhme… Kosovën brenda Bashkimit Evropian… Imagjionojini të rinjtë e talentuar të Kosovës, pjesë të BE-së, sa shumë kontribut do të japin. Kjo nuk është ëndërr… është ajo që po kërkojmë ta arrijmë pas 25-vjetësh. Kjo duhet të arrihet në këtë tokë”, u shpreh Blair./Reporteri.net/.