Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndodhet në Kosovë për 25-vjetorin e çlirimit, por ani pse në mëngjes takoi të parën e shtetit, Vjosa Osmanin, një takim me kryeministrin kosovar, Albin Kurti s’ndodhi e as nuk pritet të ketë.
Burime të Gazetës Online Reporteri.net bëjnë të ditur se një takim mes dy kryeministrave s’do të ketë, e madje një i tillë nuk është as në agjendën e Ramës gjatë qëndrimit të tij në Kosovë.
Poashtu, as në agjendën e publikuar, sot në mëngjes, nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, një takim me kryeministrin shqiptar s’figuron.
Për këtë, gazeta Online Reporteri.net, gjatë ditës ka provuar të marrë sqarime nga zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziun, por i njëjti nuk është përgjigjur. As nga Kabineti i Ramës nuk janë deklaruar.
E vetë kreu i kreu i qeverisë kosovare, paradite, shmangu përgjigjen e gazetareve kur u pyet nëse do të ketë një takim me shefin e qeverisë shqiptare, Edi Ramën.
“Kemi seancë në ora 10:00”, tha shkurt Kurtit derisa po dilte nga AShAK-u.
Për dallim nga shefi i ekzekutivit, e para e shtetit, Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim Kryeministrin shqiptar Edi Rama.
Një burim i ka thënë gazetës online Reporteri.net se Kryeministri Rama ka kërkuar që gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, të hënën, të takohet veç zyrtarisht veç nga Presidentja Osmani, duke mos paraparë në agjendë takim me homologun e tij kosovar.
“Bashkë, për t’i shënuar momentet më të rëndësishme të historisë së popullit tonë! Mirë se erdhe Kryeministër Rama! 🇽🇰🇦🇱”, përshkroi Presidentja Osmani takimin me shefin e ekzekutivit shqiptar.
Veç takimit me Osmanin, Rama në Prishtinë ka pranuar të mirëpritet pasdite edhe nga Kryetari i Komunës së kryeqytetit, Përparim Rama, ku në një ceremoni të posaçme do të nderohet me “Çelësin e Qytetit”.
Kryeministri shqiptar, poashtu ishte pjesëmarrës edhe në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, ku u prit nga Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Raportet Kurti-Rama ka kohë që diskutohen të ngrira. Kjo pas Kryeministri shqiptar vazhdimisht ka treguar se nuk pajtohet me politiken e homologut të tij kosovar karshi dialogut dhe çështjes me Serbinë që ka çuar Kosoven nën sanksionet e BE-së. /Reporteri.net/.