×
  • Lajme
  • Lajme / Dokumentimi i krimeve

    Kurti takon drejtorin e Qendrës Memoriale të gjenocidit të Srebrenicës, që është edhe i mbijetuar

    Reporteri
    10 Qershor 2024 | 16:02

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti në takim Emir Suljagić, Drejtor i Qendrës Memoriale të gjenocidit të Srebrenicës i cili është dhe i mbijetuar i këtij gjenocidi të kryer nga forcat serbe në korrikun e vitit 1995, në të cilën u vranë mbi 8.000 boshnjakë.

    Ai i uroi mirëseardhje në Kosovë, në 25- vjetorin e çlirimit të vendit tonë dhe përfundimit të spastrimit etnik dhe gjenocidit të Serbisë në Kosovë.

    Siç njofton kumtesa për media nga Kryeministria, duke vlerësuar miratimin e rezolutës së Kombeve të Bashkuara mbi 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit të Srebrenicës, Kurti rikujtoi se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar në korrikun e vitit 2021 një rezolutë të posaçme e cila e dënon gjenocidin serb në Srebrenicë.

    Në takim u vlerësua bashkëpunimi mes Institutit për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës dhe memorandumi i bashkëpunimit që pritet të nënshkruhet.

    Kryeministri theksoi përkushtimin e Qeverisë për procese gjithëpërfshirëse të drejtësisë tranzicionale, si dhe finalizimin e Strategjisë së parë të Republikës së Kosovës për Drejtësi Tranzicionale.

    U tha se për paqe në Ballkan, Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj dhe të mbahet përgjegjëse për krimet, masakrat dhe gjenocidet e kryera, dhe që të sillen para drejtësisë përgjegjësit e krimeve të kryera gjatë luftës.

    Duke e falënderuar Kryeministrin për takimin, Suljagić shprehu mirënjohje për mikpritjen e ngrohtë që po i bëhet në Kosovë si dhe ritheksoi potencialin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!