Më 12 qershor të vitit 1999, forcat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR. E sot 25 vite pas, në Ditën e Çlirimit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka publikuar një video në Facebook me disa nga deklaratat e aty që kontribuuan në çlirimin e vendit, shkruan Reporteri.net.
“Përjetësisht mirënjohës për të gjithë vizionarët, dëshmorët, martirët dhe aleatët e lirisë sonë”, ka qenë mbishkrimi që Osmani i ka vendosur kësaj videoje.
“Sot, ne dhe 18 aleatët tanë të NATO-s, ramë dakord të bëjmë atë që ne thamë se do ta bënim, çfarë duhet të bëjmë për të rivendosur paqen”, kishte thënë ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton.
“Le të mos ketë gabime, përderisa ju zgjidhni, Kosova do të mbetet shtëpia juaj”, kishte deklaruar Madeleine Albright.
“Ne jemi këtu për një qëllim shumë të qartë, dhe ky qëllim është të jesh pjesë e një operacioni që do të parandalojë aktet e tmerrshme të brutalitetit të keq që janë kryer kundër njerëzve të pambrojtur në Kosovë”, ishte deklrata e Tony Blair, ish-kryeministër britanik.
Pjesë e kësaj video është edhe ish-presidenti Ibrahim Rugova.
“Zgjedhja më e mirë për Kosovën është një Kosovë e pavarur”, kishte qenë një nga deklaratat e tij pas çlirimit të Kosovës.
/Reporteri.net/