Ish-shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, ka thënë se është duke qëndruar në Kosovë me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të vendit.
Ai ka thënë se është në vendin tonë për të festuar me gjithë kosovarët, duke përfshirë këtu shqiptarët e serbët.
“Jam këtu për të festuar me të gjithë shqiptarët, me të gjithë kosovarët e po ashtu edhe serbët. Çfarë dite të mrekullueshme përfaqëson kjo, është fantastike”, ka thënë ai.
Ndryshe, Kosova sot shënon 25-vjetorin e Çlirimit të vendit, kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë brenda territorit të Kosovës, duke shënuar fundin e luftës që la më shumë se 13.500 njerëz të vrarë, kryesisht shqiptarë.
Fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova.
Tërheqja e plotë e trupave serbe përfundoi më 20 qershor 1999.
Me hyrjen e trupave ndërkombëtare u mundësua kthimi në shtëpitë e tyre i më shumë se 800.000 refugjatëve, persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës, të dëbuar nga shtëpitë e tyre, që po strehoheshin në kampe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, si dhe largimin e serbëve nga Kosova.
Nga ana tjetër, tërheqja e forcave serbe çoi në shpërnguljen e rreth 164.000 serbëve nga Kosova.
Në luftën e viteve 1998-’99 janë vrarë më shumë se 13.000 persona dhe janë zhdukur më shumë se 6.000 persona.
Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi, trupat e të cilëve janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshihen krimet.
Sipas të dhënave, më shumë se 1.600 persona konsiderohen ende të pagjetur.