Presidentja Vjosa Osmani është takuar me presidenten e re të Maltës, Myriam Spiteri Debono, gjatë Samitit për Paqe që po mbahet në Zvicër.
“Në Zvicër, realizova takimin e parë e të përzemërt me Presidenten e re të Maltës, Myriam Spiteri Debono. Malta është një vend vërtet mik, andaj i shpreha mirënjohjen e thellë Presidentes Spiteri Debono për mbështetjen e vazhdueshme që vendi i saj i ka dhënë Republikës tonë”, ka thënë ajo.
Osmani mbrëmë është pritur edhe nga presidentja e Zvicrës Viola Amherd.
Samiti për paqe për Ukrainën, mbahet në Burgenstok të Zvicrës, ku po merr pjesë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Kjo e fundit përmes një video në Facebook ndër të tjera ka treguar se çka do të diskutohet në Samit.
“Përgjatë samitit që do të fillojë me seancën plenare shumë shpejt, ne do të diskutojmë për tri dimensione kryesore. E para, që do të udhëhiqet nga shtetet më të fuqishme është siguria nukleare”.
“Kurse, i treti është dimensioni human, ku do të kontribuojmë më së shumti sepse kemi ndërtuar një sistem pas luftës që shpesh merret edhe si model se si ndërtohet një demokraci e qëndrueshme edhe pas shkatërrimeve që i shkakton lufta”, tha Osmani.
Kurse në njoftimin e Presidencës thuhet se Osmani do ta riafirmojë përkushtimin e Republikës së Kosovës për ta vazhduar mbështetjen për Ukrainën deri në fitore, si dhe do të flasë për rëndësinë e mbështetjes gjithëpërfshirëse globale për t’u arritur paqe afatgjate dhe e qëndrueshme.
Samiti i nivelit të lartë, i cili do t’i mbledhë liderët botëror për të diskutuar rëndësinë dhe mënyrat e vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën, do të përqendrohet edhe në rëndësinë kritike të arritjes së paqes në Ukrainë.