Presidentja Vjosa Osmani ka shpërndarë një video me një përmbledhje nga pjesëmarrja e saj në Samitin për Paqe që u mbajt në Zvicër.
Ajo atje zhvilloi disa takime me liderë botërorë, këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Biden, Jake Sullivan, si dhe një bisedë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.
“Në Samitin e Paqes për Ukrainën, për t’i treguar botës rrëfimin e popullit të Kosovës, por edhe përkushtimin e çdoditshëm të vendit tonë për paqe të drejtë e të qëndrueshme në Ukrainë e kudo në botë”, ka shkruar Osmani krahas videos.
Për dy ditë me radhë në fundjavë në Zvicër u diskutua për të ardhmen e Ukrainës. Rreth 100 shtetet pjesëmarrëse u mblodhën për të diskutuar në afërsi të Lucernës. Samiti u mbyll me një deklaratë përfundimtare, në të cilën 80 nga 93 pjesëmarrësit u shprehën, që “integriteti territorial” i vendit të sulmuar nga Rusia të jetë baza e një marrëveshjeje të paqes.
Në deklaratën e samitit Rusia bëhet përgjegjëse për luftën në Ukrainë, ku ka shkaktuar vuajtje të mëdha njerëzore dhe shkatërrime. Këtë dokument nuk donin ta nënshkruanin ndër të tjera Brazili, Arabia-Saudite, India, Afrika e Jugut, Tajlanda, Indonezia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Pjesërisht këto shtete vazhdojnë bashkëpunimin me Rusinë në të ashtuquajturin grupi Brics dhe pavarësisht sulmit ndaj Ukrainës ruajnë raporte miqësore me Moskën.
Në draftin për deklaratën përfundimtare kjo morr në konsideratë, ndaj Rusia nuk dënohet shprehimisht për sulmin e saj. /Reporteri.net/