Ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak, ka thënë se i është kërkuar të “qëndrojë edhe pak në këtë post”.
Kështu ka thënë Lajçak në një intervistë për Kosovo Online, duke bërë të ditur se puna e tij si ndërmjetës në dialog do të vazhdojë, transmeton gazeta online Reporteri.net.
“Më kërkuan të qëndroja edhe pak në këtë punë, kështu që puna ime vazhdon”, citohet të ketë thënë Lajçak në këtë intervistë. Lajçak ka thënë se propozimi i fundit i BE-së është që Kosova të fillojë procesin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe Serbia të fillojë zbatimin e obligimit për njohjen e dokumenteve, institucioneve dhe simboleve të Kosovës. Ndërsa, për çështjen e dinarit, Lajçak thotë se propozuan krijimin e një organi apo kompanie të re të përkohshme që do të merrej me shpërndarjen e mbështetjes financiare për shtresat më të cenueshme, por thotë se nuk arritën të pajtoheshin për këtë çështje.
“Sinqerisht, nuk shoh asnjë arsye për të mos ecur përpara, sidomos tani, pas prezantimit të draft-statutit evropian. Ky statut u hartua me shumë kujdes, në një proces të përpunuar dhe afatgjatë, me mbështetjen dhe ndihmën e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe me kontributin e ekspertëve të pavarur juridikë ndërkombëtarë dhe mendimin e ekspertëve nga Këshilli i Evropës. Jam i bindur se draft-statuti evropian respekton plotësisht rendin juridik të Kosovës. Kemi marrë parasysh sa më shumë vijat e kuqe të të dyja palëve. Është një mënyrë evropiane për të trajtuar çështjen e ndjeshme të të drejtave dhe mbrojtjes së pakicave dhe pasqyron praktikat më të mira evropiane. Kjo është arsyeja pse unë do të argumentoja se ajo që funksionon për shtetet anëtare të BE-së dhe Këshillin e Evropës – dy organizatat ndërkombëtare në të cilat Kosova dëshiron të anëtarësohet – patjetër duhet të jetë e pranueshme për Qeverinë e Kosovës”, ka thënë ndër të tjera Lajçak.
Lajçak është shprehur i bindur se Asociacioni përfundimisht do të themelohet.
“Për më tepër, procedura e parashikuar në marrëveshjet e 2013 dhe 2015 përmban dy “kontrolle sigurie” në lidhje me kushtetutshmërinë e statuteve të Asociacionit – një fren sigurie, nëse dëshironi. Pas harmonizimit në kuadër të dialogut, ku fillimisht deklaron qeveria, statuti do t’i referohet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për shqyrtim, që do të thotë se fjalën e ka edhe gardiani i Kushtetutës së Kosovës. Kështu që unë ju pyes – çfarë mund të shkojë keq? Si mund të jetë Asociacioni i dëmshëm apo i rrezikshëm për Kosovën nëse fjalën e fundit për Statutin e ka Gjykata Kushtetuese?
Gjithashtu, jam i bindur se përfundimisht Asociacioni do të themelohet sepse Kosova është e obliguar ta bëjë këtë sipas ligjit ndërkombëtar. Qeveria nuk mund t’i shmanget përgjithmonë përmbushjes së këtij detyrimi. Është obligim që qeveria e atëhershme e kishte marrë vullnetarisht në vitin 2013. Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 është ratifikuar edhe nga Kuvendi i Kosovës me shumicë dy të tretash. Edhe bashkësia ndërkombëtare e sheh (mos)themelimin e Asociacionit si çështje të sundimit të ligjit dhe ka reaguar në përputhje me rrethanat e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Pa neglizhuar obligimet e tjera në kuadër të dialogut, çështja e Asociacionit është më e madhe se një detyrim “i thjeshtë” nga dialogu. Ai pasqyron qasjen e qeverisë ndaj mbrojtjes së të drejtave të njeriut, të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe sundimit të ligjit”, citohet të ketë thënë Lajçak. /Reporteri.net/