×
  • Lajme
  • Lajme / E konfirmon Prokuroria

    Prokuroria nis hetimet ndaj profesorit Xhevat Krasniqi, i akuzuar për ngacmim seksual

    Reporteri
    18 Qershor 2024 | 16:32

    Prokuroria Themelore e Prishtinës ka marrë aktvendim për të nisur hetimet ndaj profesorit Xhevat Krasniqi, i cili ishte denoncuar për “ngacmim seksual” nga disa studente të UP-së.

    Kjo është konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net. nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

    “Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar kallëzim penal ndaj çështjes në fjalë. Prokurori i Shtetit ka marrë aktvendim për fillim të hetimeve ndaj Xh. K. Kjo çështje penale është duke u trajtuar në pajtim me dispozitat ligjore të KPPRK-së”, tha Ulaj për Reporteri.net.

    Xhevat Krasniqi ishte denoncuar nga 27 studente të UP-së se i kishte ngacmuar seksualisht.

    Ndryshe, sipas një ankueseje, profesori i Fakultetit të Edukimit që jepte edhe lëndën e Matematikës në Fakultetin e Mjekësisë, e aty thuhet se kishte “demonstruar me duar fjalën ‘masazh’.

    “Kam hyrë të konsultohem me profin në fjalë dhe për të shikuar se ku m’i ka hequr 0.5 pikë nga provimi, e le që përgjigjen nuk e mora, por dola e tronditur nga ajo zyrë me një përgjigje aspak adekuate, morale dhe joprofesionale”, ka thënë njëra nga studentet në ankesën e saj që është paraqitur në Këshill. “E këtu po i citoj fjalët e tij: ‘Unë jam i drejtë në vlerësim, e kështu jam i drejtë, kur dush të bëj masazh’, i cili ma ka demonstruar me duar fjalën ‘masazh’ dhe është afruar për të më përqafuar”, thuhej në ankesë.

    Në maj të këtij viti, Këshilli i Etikës rekomandoi pezullimin e përkohshëm të profesorit Xhevat Krasniqi.

    Sipas vendimit, ndaj Krasniqit është kërkuar referimi i pretendimit për ngacmim seksual në organet përkatëse të hetuesisë.

    “Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës ka rekomanduar marrjen e mases për pezullimin e përkohshëm nga puna të Prof. Dr. Xhevat Krasnitit dhe është kërkuar referimi i pretendimit për ngacmim seksual në organet përkatëse të hetuesisë të Republikës së Kosovës sipas kornizës normative përkatëse”.

    Tutje thuhej se Këshilli i Etikës rikujton se denoncimi i paraqitur ndaj Xhevat Krasniqit lidhet me dy segmente: Mosvlerësim dhe Ngacmim Seksual.

    “Këshilli i Etikes do te rifilloje me automatizëm dhe sipas detyrës zyrtare procedurën disiplinore kundër Prof. Dr. Xhevat Krasnitit pas përfundimit te veprimeve hetuese të organeve kompetente shtetërore lidhur me pretendimet për ngacmim seksual. Këshilli i Etikes nuk ka as kompetencën ligjore dhe as kapacitetin e ekspertizën e duhur për te zhvilluar hetime dhe bere gjetje hetimore për vepra te karakterit penal. Deri ne këte fazë, Këshilli i Etikes ka ndërmarre te gjitha veprimet procedurale dhe ka trajtuar të gjitha faktet dhe provat ne dispozicion, perfshirë pretendimet per ngacmim seksual, si dhe vlerësimet e studenteve ne vitet e fundit per përformancën e profesorit Krasniqi ne Fakultetin e Mjekësise dhe Fakultetin e Edukimit, sic paraqiten në detaje në pjesën e përshkrimit te fakteve. Në këtë kuptim, Këshilli i Etikës rikujton qe denoncimi i paraqitur lidhet me dy segmente: (I) mosvlerësimin dhe (2) ngacmimin seksual”, thuhej në vendim.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!