Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për vrasje të rëndë në tentativë, që ndodhi më 13 qershor në Bregun e Diellit në Prishtinë, shkruan Reporteri.net.
“Pas një pune intenzive hetimore, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, ka arritë që të arrestoj personin e dyshuar lidhur me rastin Vrasje e rëndë në tentativë. Rasti ka ndodhë me datën 13.06.2024 në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë”, njoftoi sot PK-ja.
Policia njofton se është arretstuar i dyshuari H.V. mashkull 23 vjeç.
“Nga hetuesit dhe Njësiti për Reagim të Shpejtë, është kryer në banesën e të dyshuarit”, njoftoi PK.
Gazeta Online Reporteri.net atë natë ka qëndruar në vendin e ngjarjes. Më poshtë, mund ta ndiqni një video.
Janë sekuestruar:
– një armë e gjatë AK-47
– një revole
– një granatë dore
– një thikë etj.
Pas intervistimit, personi i dyshuar me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje.
Në vendin e ngjarjes pati dalë edhe kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi. Ai para mediave, ka thënë se dy persona janë në kërkim për të shtënat me armë, teksa një grua është gërvishtur nga plumbi rikoshet.
Kryeprokurori Gashi ka thënë se të dyshuarit janë persona të njohur për Policinë e Kosovës. Ai tha se ngjarja erdhi si shkak i një mosmarrëveshjeje një ditë më parë.
“Shkaku i një mosmarrëveshjeje që e kanë pasur një më parë, janë gjuajtur mes vete nuk ka të lënduar përveç një gërvishtjeje të një kalimtareje aty. Personat e dyshuar janë të njohur për Policinë e Kosovës, janë recidivistë. I kemi të gjitha provat, kamerat, i kemi identifikuar dhe gjatë bastisjes në banesën e tyre kemi gjetur dëshmi shumë të rëndësishme, disa maska. Katër persona janë në kërkim “, tha Gashi.