I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë të martën se dy vendet duhet të bëjnë hapa për të zbatuar Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve, të arritur në shkurt të vitit të kaluar, përcjell Reporteri.net.
“Vizita e sotme në Kosovës dhe nesër në Beograd, është për të parë se si të gjejmë zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, çfarë hapa konkretë duhet të marrim. Dhe u dakorduam që duhet të përshpejtojmë zbatimin e marrëveshjes”, u shpreh Lajçaku.
Lajçak ka thënë edhe se duhet të hiqen masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës dhe që ura mbi lumin Ibër duhet të hapet në një mënyrë që nuk përshkallëzon situatën.
Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi që ka zhvilluar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.
Tema tjetër që biseduan mes vete, sipas Lajçakut, ishte edhe “Plani i rritjes”.
“Ne kemi një marrëveshje, duhet të përshpejtojmë zbatimin e saj. Kjo ka qenë tema e parë që kemi diskutuar me Bislimin, dhe pika e dytë për Planin e BE-së për Rritje Ekonomike”.
Plani i BE-së parasheh ndarjen e një fondi prej gjashtë miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor për periudhën 2024-2027, për ta përshpejtuar integrimin evropian të këtij rajoni.
Lajçak e ka thënë përmendur se për të fituar qasje në këto fonde, Kosova dhe Serbia e kanë parakusht angazhimin konstruktiv në dialogun e Brukselit, dhe si personi përgjegjës për të bërë vlerësimin për përparimin në dialog, ai ka thënë se e ka parë të nevojshëm një takim me zyrtarët në Kosovë dhe Serbi për hapat që duhet të marrin palët.
Lajçaku për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës: Gjithçka varet nga diskutimet e nesërme
Pas vizitës në Kosovë, diplomati evropian do të takohet në pasditen e së mërkurës në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Lajçak do të duhej të niste mandatin e si ambasador në Zvicër prej 1 shtatorit të këtij viti, mirëpo ai ka thënë se i është kërkuar që të mbajë pozitën që ka deri në fund të janarit të vitit 2025, dhe ka thënë se deri atëherë ka shumë punë për të bërë.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka deklaruar se gjatë takimit të së martës me emisarin special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, është diskutuar për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Bislimi ka ritheksuar se Republika e Kosovës mbetet palë konstruktive në dialog, e përkushtuar në normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe njohjen reciproke.
“Ai nënvizoi rëndësinë e nënshkrimit si dhe zbatimit në plotni të marrëveshjeve, përmes një plani të sekuencimit të balancuar, të barabartë dhe të drejtë për palët. Gjithashtu shtoi se Serbia në vazhdimësi e ka shkelur marrëveshjen në shumicën e neneve të saj, veçanërisht nenin 4 të saj kur ka votuar e lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, e po ashtu dhe përmes letrës së ish-kryeministres Brnabiq në dhjetorin e kaluar”, thuhet në njoftim.
Bislimi pas takimit me Lajçakun: Normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe njohje reciproke
Përgjatë konferencës për media, Lajçak është pyetur edhe për raportin që kryediplomati evropian, Josep Borrell ua ka dorëzuar vendeve anëtare të BE-së, lidhur me masat që i janë vënë Kosovës më shumë se një vit më parë.
Në raport është bërë vlerësimi nëse duhet hequr masat ndaj Kosovës, të vëna për shkak të tensionimit të situatës në veri të vendit, në maj dhe qershor të vitit 2023.
Lajçak e ka ripërsëritur qëndrimin e tij që masat ndaj Kosovës do të duhej të hiqeshin si shenjë solidariteti pas sulmit që ka ndodhur në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar, por që u takon vendeve të BE-së ta marrin atë vendim.
Vendet e BE-së pritet të diskutojnë të mërkurën për raportin e Borrellit.
Përgjatë konferencës, Lajçak është pyetur edhe nëse duhet të hapet ura kryesore mbi lumin Ibër.
Lajçak ka thënë çështja e urës është e zgjidhur me dy marrëveshje të arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.
“Pozicioni i BE-së ka qenë që ura duhet të hapet, mirëpo në një mënyrë që nuk përshkallëzon situatën dhe në mënyrë ideale duhet të diskutohet me personat që prek ky vendim”, ka thënë diplomati evropian, duke përmendur mundësinë që për këtë temë të diskutohet sërish në kuadër të dialogut.
Vendimi për hapje të urës është marrë në prill të vitit 2023 në Kuvendin komunal të Mitrovicës së Veriut, por nuk janë marrë asnjëherë hapa drejt zbatimit të tij.
Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe, qysh prej vitit 1999.
Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, palët janë pajtuar që ura të hapet për qarkullim, por është hapur vetëm njëra anë e saj për këmbësorë.