I deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, pas qëndrimit në Kosovë, të mërkurën do të udhëtojë për në Serbi, ku do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë njoftuar mediat serbe.
Takimi me Lajçak e Vuçiq do të nis rreth orës 18:00.
Lajçak, ka thënë të martën se dy vendet duhet të bëjnë hapa për të zbatuar Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve, të arritur në shkurt të vitit të kaluar, përcjell Reporteri.net.
“Vizita e sotme në Kosovës dhe nesër në Beograd, është për të parë se si të gjejmë zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, çfarë hapa konkretë duhet të marrim. Dhe u dakorduam që duhet të përshpejtojmë zbatimin e marrëveshjes”, u shpreh Lajçaku.
Lajçak ka thënë edhe se duhet të hiqen masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës dhe që ura mbi lumin Ibër duhet të hapet në një mënyrë që nuk përshkallëzon situatën.
Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi që ka zhvilluar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.
Tema tjetër që biseduan mes vete, sipas Lajçakut, ishte edhe “Plani i rritjes”.
“Ne kemi një marrëveshje, duhet të përshpejtojmë zbatimin e saj. Kjo ka qenë tema e parë që kemi diskutuar me Bislimin, dhe pika e dytë për Planin e BE-së për Rritje Ekonomike”.
Plani i BE-së parasheh ndarjen e një fondi prej gjashtë miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor për periudhën 2024-2027, për ta përshpejtuar integrimin evropian të këtij rajoni.
Lajçak e ka thënë përmendur se për të fituar qasje në këto fonde, Kosova dhe Serbia e kanë parakusht angazhimin konstruktiv në dialogun e Brukselit, dhe si personi përgjegjës për të bërë vlerësimin për përparimin në dialog, ai ka thënë se e ka parë të nevojshëm një takim me zyrtarët në Kosovë dhe Serbi për hapat që duhet të marrin palët. /Reporteri.net/
Marrëveshja, masat ndëshkuese, plani i BE-së – Çfarë mesazhe solli në Kosovë Lajçaku