Ish-asistenti i kryeministrit Albin Kurti, Arianit Beqiri, teksa ka bërë të ditur se është liruar pas arrestimit nga Policia e Kosovës, ka vazhduar kritikat ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
Beqiri, i cili u arrestua mbrëmë për “prishje e rendit dhe moszbatim i urdhrave policor”, ka thënë se sheshet duhet të jenë pa pagesë dhe për qytetarët.
“RRNOFTË HAPËSIRA PUBLIKE! POSHTË PËRPARIM RAMPA! Sheshet duhet të jenë pa pagesë. Sheshet duhet të jenë për qytetarët. Sot, për ta parë ndeshjen e Kombëtarës, në shesh, duhej të paguheshin 20 euro. Ne protestuam kundër kësaj. U arrestuam, tash u liruam. Hapësira Publike do të mbrohet gjithmonë, në çdo mënyrë, me çdo kusht”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Beqiri, i cili është edhe asamblist i Vetëvendosjes në Prishtinë, u arrestua mbrëmë në qendër të qytetit.
Ai u shoqërua në Polici për prishje të rendit dhe qetësisë publike, por edhe për moszbatim të urdhërave të Policisë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci për gazetën online Reporteri.net, ka thënë se përveç Beqirit në Polici është shoqëruar edhe një person tjetër, për të njëjtat arsyeje.
“Dy persona janë shoqëruar në stacionin policor, për moszbatim të urdhrave policor dhe dyshimit për prishje të rendit dhe qetësisë publike”, ka thënë Borovci për Reporteri.net.