×
  • Lajme
  • Lajme / Sondazhi

    Bajrami pas sondazhit të UBO-s të publikuar nga Reporteri: Ne bëjmë matje tjera, LVV-ja ka rënie drastike, LDK-ja trend rritës

    Reporteri
    25 Qershor 2024 | 21:45

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka komentuar sondazhin e UBO-s të publikuar sot nga gazeta online Reporteri.net. Sipas matjeve të fundit nga “UBO Consulting”, i siguruar ekskluzivisht nga Gazeta Online Reporteri.net, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje renditet në vend të parë me 49.6 për qind.

    Ajo pasohet nga Partia Demokratike e Kosovës e cila gati ka ruajtur përqindjen e njëjtë krahasuar me sondazhin e marsit ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës doli e treta.

    Bajrami në emisionin Context të ATV-së, tha se sondazhi nuk përkon me matjet që LDK-ja po i realizon në vazhdimësi, duke shtuar se LDK-ja, aktualisht ka trend rritës.

    “Bëjmë matje jo për t’u lavdëruar po për kahje politike. Matjet tona, tregojnë që LVV-ja ka rënie drastike e ne kemi një trend rritës, kemi një pozicion të dytë por shumë larg prej të tretit”, u shpreh ajo.

    Ajo shtoi se sondazhi i publikuar sot, ia ka kujtuar “huqjet në zgjedhjet lokale në Prishtinë”.

    “Publikuesi apo sponsorizuesi i sondazhit mi kujtoi zgjedhjet lokale në Prishtinë. Një natë para zgjedhjeve e ka çitë Arben Vitinë 52 për qind, Uran Ismailin të dytin edhe Përparim Ramën të tretin dhe na sot e dimë kush udhëheq me Prishtinën. Diku 32 për qind ia ka huqë. Ne si LDK nuk i marrim seriozisht këto sondazhe, i kemi matjet tona”, u shpreh ajo.

     

    Bajrami mes tjerash e ka kritikuar Qeverinë Kurti se po i sjell regres vendit në çdo fushë, dhe gjithashtu ka thënë se “Kurti nuk e ka bërë rolin e kryeministrit të Kosovës asnjëherë, por vetëm rolin e kryetarit të Vetëvendosjes”.

    LDK-ja edhe sipas matjes së fundit të UBO’s ka vazhduar trendin e rënies së mbështetjes.

    “Frika” e partisë së Lumir Abdixhikut që të shkohet në zgjedhje, sipas kësaj matje, duket se partisë i ka kushtuar me 0.5% rënie në sondazh. Në periudhën 3 deri 15 qershor 2024, kur është kryer matja, rezulton se LDK-ja do t’i kishte 15.5% të votave, duke mbetur kështu si forca e tretë politike në Kosovë. Në mars të këtij viti, LDK rezultonte 16 për qind, gati 2% më pak sesa në sondazhin paraprak.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!