×
  • Lajme
  • Lajme / Reagimi

    Ministrja Haxhiu sulmon Kushtetuesen: Një grusht njerëzish ende u shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër

    Reporteri
    26 Qershor 2024 | 16:08

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar Ligjin për Byronë shtetërore dhe pasurinë e pajustifikueshme, duke i dhënë të drejtë kështu Partisë Demokratike të Kosovës, shkruan Reporteri.net.

    Në një postim në Facebook, Haxhiu ka thënë se situata për ta tashmë është e qartë, se sipas saj vullnet i qytetarëve po tentohet të përmbuset nga një grusht njerëzish që i shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër.

    “Byroja do të bëhet”, ka thënë ajo mes tjerash, ndërsa ka shtuar se “pasuria publike e shpërdoruar e përvetësuar do të konfiskohet”.

    Reagimi:

    Nën udhëheqjen e Ministrisë së Drejtësisë, si njëra prej çështjeve më prioritare të Qeverisë së Republikës së Kosovës, së bashku me ekspertë të fushës, ish-gjyqtarë të Gjykatës së Strasburgut, në koordinim të plotë edhe me Komisionin e Vendikut kemi përfunduar Ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme si përgjigje ndaj fenomenit që e ka gërryer për vite të tëra pasurinë publike e etikën e zyrtarit të lartë publik.

    Në mënyrë që gjithçka të jetë përbrenda parimeve dhe standardeve më të larta të BE-së, kemi inkorporuar secilin rekomandim të institucionit më të lartë të Këshillit të Evropës siç është Komisoni i Venedikut.

    Pavarësisht kësaj, PDK e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese këtë projektligj për të bllokuar e sabotuar reformën tonë në drejtësi si njërin prej dy prioriteteve tona kryesore, e për ta vonuar konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Arsyet për këtë tashmë i kanë të qarta të gjithë.

    Në anën tjetër, 16 muaj iu deshën Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar përputhshmërinë e Ligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Pas 16 muajve, pra sot, kuptuam që Ligji është shpallur i pavlefshëm. 5 gjyqtarë nga 9 sa janë gjithësej vendosën që Ligjin më të rëndësishëm në kuadër të pakos kundër korrupsionit e keqpërdorimit të detyrës zyrtare ta shpallin të pavlefshëm.

    Situata për ne është shumë e qartë, vullneti i qytetarëve për drejtësi po tentohet të përmbyset nga një grusht njerëzish që ende u shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër, por beteja jonë për reformë dhe shtet të së drejtës nuk do të ndalet. Byroja do të bëhet. Pasuria publike e shpërdoruar e përvetësuar do të konfiskohet. Vullneti popullor do të jetësohet.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!