×
  • Lajme
  • Lajme / "Kontroll mbi mediat online"

    Projektligji për KPM-në që po kritikohet nga organizata vendore e ndërkombëtare të gazetarëve, sot në duar të deputetëve

    Reporteri
    27 Qershor 2024 | 8:26

    Projektligj për KPM-në  është në rend të ditës për t’u votuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, në seancën e sotme. Ai duhet të votohet edhe në lexim të dytë në Kuvend, para se të bëhet ligj.

    Projektligji, i cili parasheh licencimin e mediave online, monitorim e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro po konsiderohet i dëmshëm, pasi rrezikon të cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Të mërkurën, Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ngriti shqetësime për Projektligjin mbi Komisionin e Pavarur të Mediave, duke deklaruar se nuk reflekton shumicën e rekomandimeve nga Opinioni Ligjor i Këshillit të Evropës.

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se është për keqardhje që nuk janë marrë parasysh rekomandimet e saj për projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media.

    “Gjithashtu, versioni aktual i Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media nuk e pasqyron shumicën e rekomandimeve të përfshira në Opinionin Ligjor të përgatitur nga Këshilli i Evropës, duke përfshirë çështjet delikate siç janë kompetencat dhe financimi i Komisionit të Pavarur për Media, procedurat zgjedhore dhe afatet e shërbimit për anëtarët e vet, si dhe proporcionaliteti i sanksioneve. Përkundër futjes së disa ndryshimeve thelbësore në fushën e rregullimit të medias, drafti aktual kërkon rishikime të mëtejshme për të përmirësuar qartësinë ligjore, proporcionalitetin dhe përputhshmërinë e mëtejshme me standardet e BE-së dhe të Këshillit të Evropës”, u tha në reagimin e BE-së.

    Shqetësim për këtë projektligj shprehu edhe komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Michael O’Flaherty. Ai  në një deklaratë për gazetën online Reporteri.net, ka deklaruar se projektligji për Komisionin e Pavarur për Media rrezikon të cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave.

    Ai ka thënë se pavarësisht disa ndryshimeve, projektligji i propozuar i KPM-së ende nuk përfshin disa rekomandime kyçe nga Këshilli i Evropës në opinionin e vet ligjor.

    “Nëse miratohet, ligji rrezikon të cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias për shkak të qëllimit të tij të paqartë, përkufizime të paqarta, sanksione të paparashikueshme dhe dispozita problematike për dezinformimin dhe përmbajtjen e dëmshme”, ka thënë O’Flaherty për gazetën online Reporteri.net.

    Me qëllim që të përmirësohet në aspektin e të drejtave të njeriut, sipas tij, projektligji duhet të kalojë nëpërmjet procesit të konsultimit të gjerë me shoqërinë civile, ekspertët dhe organizatat ndërkombëtare.

    Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në KiE: Projekligji për KPM-në rrezikon lirinë e shprehjes dhe të mediave

    Gjatë ditës së sotme është paralajmëruar një konferencë për media e Kryetarit të Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, dhe juristes së medias, Flutura Kusari.

    Në muajin maj, AGK-ja i kishte kërkuar Kuvendit që ta përmirësojë projektligjin për KPM-në pas reagimit nga Këshilli i Evropës.

    “Aspektet kryesore të kritikuara nga Këshilli i Europës janë: ndryshimi i projektligjit për KPM-në pa koncept dokument në kundërshtim me rregulloren e qeverisë, mënyrën e definimit dhe rregullimit të mediave online, ndryshimet rrënjësore në përbërjen, emërimin, mandatin dhe shkarkimin e anëtarëve të KPM-së, largimin e kufizimit ligjor që në të kaluarën ia pamundësonte partive politike dhe bashkësive fetare hapjen e televizioneve dhe radiove dhe mungesën e transparencës gjatë nismës legjislative”, thuhet në njoftimin e AGK-së të publikuar më 27 maj.

    Çka parasheh Projektligji për Komisionin e Pavarur për Media, sqaron AGK

    Në anën tjetër, dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, kanë paralajmëruar se  do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM).

    Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se nëse ky projektligj nuk ndryshon, atëherë do të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se ky projektligj ka për qëllim kontrollin e mediave të pavarura./Reporteri.net/

    PDK-ja e LDK-ja thonë se do ta dërgojnë në Kushtetuese projektligjin për KPM-në

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!