Në orët e para të mëngjesit, një incident zjarri ka ndodhur në objekin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në njoftimin e IML-së, thuhet se rasti ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit në njërën nga korridoret e daljes emergjente, dhe zjarri i lokalizuar është shuar nga zjarrëfikësit.
Nga IML thonë se sipas vlerësimeve, zjarri është shkaktuar nga një defekt elektrik dhe se dëmi është i vogël.
“Sot më 30.06.2024 rreth orës 2 të mëngjesit, në njërën nga korridoret e daljes emergjente është lokalizuar zjarri nga stafi kujdestar në IML dhe i njëjti është shuar nga zjarrfikesit. Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitet policore dhe ekspertët e zjarrit dhe elektroteknikës. Sipas vlerësimeve preliminare shkaku i zjarrit ka qenë defekti elektrik në njërën nga pajisjet elektrike në korridor, mirëpo mendimi përfundimtar do të jepet pas ekspertizës finale e cila do t’i dorëzohet Prokurorisë. Dëmi material është i vogël”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Poashtu bëhet e ditur se objekti i IML-së pritet të renovohet dhe sapo të fillojnë procedurat e prokurimit do të nisin punimet, renovim ky i cili do të përfshijë instalimin e sistemit kundër zjarrit.
Me këtë rast, njoftojmë opinionin publik se IML pritet t’i nënshtrohet procesit të renovimit i cili projekt ka kosto rreth 900,000 euro dhe do të fillojë sapo të përfundojnë procedurat e prokurimit, të cilat gjenden në fazen e ofertimit të operatorëve ekonomik e që parashihet të përmbyllet me 2 korrik. Renovimi do të përfshijë instalimin e sistemit kundër zjarrit, zëvendësimin dhe riparimin e instalimit elektrik, ventilimin dhe klimatizimin e ri, si dhe ridizajnimin e hapësirave të punës”, thuhet në reagimin e IML-së.
Në nëntor të vitit të kaluar, një zjarr i madh kishte përfshirë disa zyre të Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Zjarri pati kapluar katin e dytë të këtij objekti.
/Reporteri.net/