Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur sërish lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila e rrëzoi në tërësi Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Sipas saj, “votat 5 me 4 dëshmojnë shumë”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Haxhiu tha se është e papranueshme se si Kushtetueses i ka marrë kohë më shumë se 1 vit për të dalë me këtë vendim. Ajo tha se ligji është rrëzuar meqë Kushtetuesja ka gjetur se katër nene nuk janë në përputhje me Kushtetutën, derisa përmendi se si në raste të tjera, Kushtetuesja anulonte vetëm nenet dhe pastaj obligohej Kuvendi të bënte ndryshimet dhe plotësimet.
“Para pak ditësh, pas më shumë se 400 e sa ditëve të trajtimit nga Gjykata Kushtetuese se Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, për katër nene që ka gjetë Gjykata Kushteyuese se nuk janë në përputhje me Kushtetutën ta shpallë të pavlefshëm në tërësi ligjin. I pari problem që kemi në këtë drejtim është që për neve është e papranueshme se si ka mundësi Gjykata Kushtetuese të merr më shumë se një vit, pra në shkurt të vitit të kaluar PDK e ka dërguar Ligjin për Byronë në Gjykatën Kushtetuese, dhe tek tani në muajin korrik, gjegjësisht I bien ë fund të qershorit, të kuptojmë që Byroja është shpallë e pavlefshme”, deklaroi Haxhiu.
“Unë vlerësoj se votat 5 me 4 të Gjykatës Kushtetuese dëshmojnë shumë…Rrallëherë kemi vendime të tilla”, deklaroi tutje Haxhiu.
Tutje Haxhiu tha se kundërthënia Qeveri-opozitë për këtë ligj nuk është e natyrës juridike, por politike.
“Kundërthënia jonë dhe e opozitës nuk është fare e natyrës juridike, kundëthënia është politike. Qeveria, Lëvizja Vetëvendosje insiston që të ketë Byro që do të merret me pasurinë e pajustifikueshme të zyrtarëve të lartë dhe zyrtarëve në përgjithësi, dhe PDK synon që të mos ketë Byro”, deklaroi Haxhiu në RTV Dukagjini.
Sipas Haxhiut, në Kosovë ka rezistencë të madhe për të dhënë llogari për pasurinë.
“Këta kanë hall të madh, kanë siklet të madh dhe unë nuk po them vetëm për opozitën. Në Kosovë ka një rezistencë të madhe për më dhanë llogari për pasurinë që e kanë kriju vetëm duke mbajtë një post në institucionet e Republikës së Kosovës. Në këtë rast, PDK ka siklet të madh, por jo veç PDK, jo vetëm njerëzit e PDKsë”, tha Haxhiu.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka njoftuar më 26 qershor se e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Në vendim, Kushtetuesja i ka vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën katër nene të këtij ligji, por tha se duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre neneve dhe pa ndryshimin dhe plotësimin e tyre nga Kuvendi i Kosovës, Ligji për Byronë Shtetërore “është shpallur i pavlefshëm në tërësinë e tij”.
Lënda në Kushtetuese u dërgua nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Me Ligjin për Byronë Shtetërore, që tashmë është shpallur i pavlefshëm, parashihej që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të ishin subjekt i verifikimit të pasurisë nëse do të ekzistonin dyshime se ajo ishte fituar në mënyrë të kundërligjshme. Përveç zyrtarëve, subjekt i verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme parashihej të ishin edhe anëtarët e familjes së tyre apo palët e treta, që nënkupton personat te të cilët mund të ketë pasur dyshime se ishte bartur pasuria e zyrtarëve publikë.