×
  • Lajme
  • Shqipëria / Shqipëri

    Arrestohet ish-ministri i Shëndetësisë i Shqipërisë, Ilir Beqaj

    Reporteri
    04 Korrik 2024 | 10:35

    Ish-ministri i Shëndetësisë i Shqipërisë, Ilir Beqaj, është arrestuar mëngjesin e së enjtes, njoftoi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), njofton Radio Evropa e Lirë.

    “Arrestimi i Ilir Beqajt është kryer në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit”, thuhet në njoftimin e SPAK.

    SPAK-u nuk dha hollësi të tjera për këtë rast, as për çfarë akuzash u arrestua ai.

    Por, mësohet se arrestimi i tij lidhet me hetimet që prokurorët janë duke i kryer për një rast të dyshuar për korrupsion kur Beqaj drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës.

    Kjo agjenci u krijua në tetor të vitit 2021 me vendim të Këshillit të Ministrave dhe kishte si mision koordinimin e ndihmës së huaj për programet dhe projektet zhvillimore.

    Ndër përgjegjësitë e kësaj agjencie, ishte dhe mbështetja e Ministrisë përgjegjëse për Evropën në përmbushjen e përgjegjësive të saj për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe t’i mbështeste misionet diplomatike në koordinimin e punës së tyre me donatorët e huaj.

    Përveç Beqajt, u arrestuan edhe dy zyrtarë të tjerë të kësaj agjencie.

    Ndërkohë, Ilir Beqja është duke u hetuar edhe një rast tjetër të ndarë, i cili lidhet me dyshimet për abuzime në koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

    Prokuroria e akuzon atë për “shpërdorim të detyrës” në lidhje me një kontratë 10-vjeçare për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale.

    Vitin e kaluar, ndaj tij u caktua masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje” në polici, si dhe “ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

    Hetimet për këtë çështje u mbyllën më 18 mars të këtij viti dhe u ngrit aktakuzë ndaj tetë personave të tjerë, përfshirë edhe ndaj zëvendësministrit, Klodian Rjepaj, dhe biznesmenit Ilir Rrapaj. Këta dy të fundit ndodhen në paraburgim.

    SPAK-u i akuzon ata për shkelje në procesin e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!