×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Meta zbulon detaje nga protesta e 8 qershorit: Do digjej Kuvendi i Shqipërisë

    Reporteri
    09 Shtator 2019 | 11:56

    Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka marrë fjalën në seancën dëgjimore të Komisionit Hetimor të ngritur për shkarkimin e tij, ku po argumenton vendimin e tij për çdekretimin e 30 qershorit dhe përcaktimin e 13 tetorit si datë kushtetuese për mbajtjen e zgjedhjeve vendore.


    Meta ka thënë se nga burime tërësisht të besueshme zyrtare, është njoftuar se persona të caktuar do të digjnin Kuvendin e Shqipërisë.

    “Presidenti për shkak të detyrës së tij ka pasur informacione të mjaftueshme si në rrugë zyrtare dhe shtetërore, edhe përmes burimeve të tjera për përpjekje për të organizuar akte destabilizimi në vend. Në mënyrë të vecantë në datën 7 qershor një ditë para se presidenti të bënte publik vendimin për shfuqizimin e datës 30 qershor ka marrë një informacion që është sekret dhe i klasifikuar, nëse komisioni do të njihet mund të ndodhë, pasi të merrej leja dhe te verifikohen certifikatat e sigurisë të anëtarëve të komisionit. Me pak fjalë, ky informacion bënte të qartë që persona të caktuar do të përpiqeshin të shfrytëzonin mitingun e opozitës më 8 qershor, edhe për djegien e kuvendit të Shqipërisë”- tha Meta.

    Sikurse ka arsyetuar në krye të herës, Meta është shprehur sërish se përmes vendimit për shtyrjen e zgjedhjeve synohej shmangia e garës elektorale me një kandidat të vetëm, një e drejtë kjo që sipas kreut të shtetit është mbrojtur në raste të mëparshme dhe nga Gjykata e të Dejtave të Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg.

    Meta ka sjellë në vëmendje rastin bullgar, ku për shkak se në zgjedhje kishte vetëm një kandidat, ky shtet ishte dënuar me gjobë.

    “Gjykova tepër të arsyeshme dhe të domosdoshme që të jem këtu, sepse kam bindje të plotë që cdo politikan, aq më tepër kryetari i shtetit duhet të tregojë respekt ndaj institucioneve dhe të japë shembullin e bashkëpunimit por së dyti e jam i bindur që pavarësisht se Kuvendi e ka bërë gjykimin para e të nisë hetimin, përmes rezolutës, në interes edhe të transparencës edhe të ndriçimit të cështjeve që kanë të bëjnë me vendimmarrjen për të dhënë të dhëna të tjera që mendoj se u shërbejnë të gjithëve për tu qartësuar më shumë”, tha Meta.

    Presidenti ka theksuar gjaë fjalës së tij, se “Duke nxjerrë dekret ka mbrojtur të drejtën e zgjedhjes së qytetarëve shqiptarë dhe ka shmangur një proces jo demokratik të votimit me një kandidat. Kjo ishte sa i takon të drejtës së zgjedhjes, nëse e ka respektuar, mbrojtur, apo e ka cenuar apo dëmtuar të drejtën e zgjedhjes së shqiptarëve”./lapsi.al

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!