Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, në një konferencë për media ka konfirmuar se ka zhvilluar një bisedë me ish-presidentin Donald Trump.
Ai ka thënë se kanë pasur një diskutim të shkurtër me Trump, por të mirë.
Biden i ka uruar shërim të shpejtë kundërkandidatit të tij Trump, duke thënë se lutet për shëndetin e tij.
“Në Amerikë s’ka vend për këtë lloj dhune. Për këtë çështje, një tentimvrasje është në kundërshtim me të gjithë atë që ne e mbështesim. Lëreni FBI-në të bëjë punën e vet dhe agjencitë partnere të bëjnë punën e tyre. Unë kam udhëzuar që ky hetim të jetë i plotë dhe i shpejtë, hetuesit do të kenë çdo burim që ju duhet për ta realizuar këtë”, ka deklaruar presidenti Biden.
Trump i shpëtoi atentatit dje më 13 korrik 2024 në Pennsylvania.
Autoritetet kanë identifikuar personin e armatosur të përfshirë në sulmin kundër ish-presidentit amerikan Donald Trump të shtunën si 20-vjeçarin Thomas Matthew Crooks, i cili u vra nga agjentët e Shërbimit Sekret në vendngjarje pas të shtënave. /Reporteri.net/.