×
  • Lajme
  • Botë

    Rusia dënon me gjashtë vjet e gjysmë burgim gazetaren e REL-it, Alsu Kurmasheva

    Reporteri
    22 Korrik 2024 | 16:16
    Gazetarja Alsu Kurmasheva gjatë një paraqitjeje para një gjykate ruse. Foto: Reuters

    Një gjykatë ruse ka dënuar Alsu Kurmasheva për përhapje të informacioneve të rreme lidhur me ushtrinë ruse me gjashtë vjet e gjysmë burgim, pas një gjykimi sekret, sipas dokumenteve të gjykatës dhe zyrtarëve, raporton Associated Press.

    Kurmasheva ka shtetësi të dyfishtë, ruse dhe amerikane, dhe është gazetare e Radios Evropa e Lirë në Pragë.

    Dënimi në gjykatën e Kazanit u shqiptua të premten, më 19 korrik, në të njëjtën ditë kur një gjykatë ruse në Jekateringburg dënoi me 16 vjet burgim gazetarin e Wall Street Journal, Evan Gershkovich, nën akuza për spiunazh. Shtetet e Bashkuara thanë se rasti ndaj gazetarit Gershkovich është i motivuar politikisht.

    Kurmasheva, gazetare e Shërbimit të Tatar-Bashkirit të Radios Evropa e Lirë u dënua për “përhapje të informacioneve të rreme” për ushtrinë, sipas informacioneve të publikuara në ueb-faqen e Gjykatës Supreme të Tatarstanit. Zëdhënësja e gjykatës, Natalya Loseva, konfirmoi për Associated Press se Kurmasheva u dënua me gjashtë vjet e gjysmë burgim për rastin, që është klasifikuar si sekret, duke mos dhënë detaje për natyrën e akuzave ndaj saj.

    I pyetur për vendimin, presidentin i REL-it, Stephen Capus, dënoi gjykimin dhe dënimin ndaj Kurmashevas, duke e cilësuar si “tallje me drejtësinë”. Ai tha se i vetmi rezultat “i drejtë për Alsun është lirimin i saj i menjëhershëm nga burgu”.

    “Kjo qytetare amerikane, kolegia jonë e dashur, duhet të bashkohet me familjen e saj”, tha Capus në një deklaratë për AP-në.

    Alsu Kurmasheva është ndaluar nga autoritetet ruse prej tetorit të vitit të kaluar, me arsyetimin se ka dështuar që të regjistrohet si “agjente e huaj”.

    Një regjistrim i tillë është i detyrueshëm sipas një ligji rus që synon të shënjestrojë gazetarët, aktivistë të shoqërisë civile dhe ata që nuk kanë qëndrime të njëjta me pushtetin.

    Radio Evropa e Lirë dhe Qeveria amerikane kanë thënë se akuzat ndaj saj janë hakmarrje për punën që ka bërë si gazetare për REL-in në selinë e kompanisë në Pragë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!