Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka thënë se është për keqardhje vendimi i Bashkimit Evropian për njohjen e pasaportave të Serbisë serbëve lokalë të Kosovës, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Mustafa ka thënë se kjo nuk ka qenë e papritur, teksa shtoi se BE-ja ka vepruar sipas marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023.
“Është për keqardhje vendimi i BE-së për të legjitimuar pasaportat ilegale të lëshuara nga e ashtuquajtura “drejtori koordinuese e Serbisë”. Për keqardhje, por jo e papartishme. BE thjeshtë ka vepruar sipas marrëveshjes së Ohrit Kurti-Vuçic të vitit 2023 që ju ofron komunave serbe vet-menaxhim të plotë përmes autonomisë së plotë territoriale, administrative, buxhetore, diplomatike, arsimore, kulturore”, shkroi ai.
Sipas tij, kur ministrat e Qeverisë e quajnë Kosovën ‘projekt i përkohshëm’, nuk është për t’u çuditur kur edhe të tjerët fillojnë ta trajtojnë atë si të tillë.
“Kur Qeveria e Kosovës vullnetarisht shkëputë çdo bashkërendim, çdo lidhje dhe çdo përkrahje të secilit aleat, të secilit garantues të pavarësisë dhe vet shtetësisë së Kosovës; kur Qeveria e Kosovës vetizolohet ndaj përkrahjes së aleatëve jetik; kur ministrat e Qeverisë nuk e njohin shtetësinë e Kosovës duke e quajtur “projekt i përkohshëm”… nuk është për t’u çuditur kur edhe të tjerët fillojnë ta trajtojnë Kosovën si të tillë”, shkroi më tej deputeti Mustafa.
Kujtojmë se në nëntor të vitit të shkuar, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, kishte ngjallur reagime të shumta me deklaratën e tij ku kishte thënë hapur se Kosovën e sheh si projekt të përkohshëm, duke iu referuar aspiratës për bashkim me Shqipërinë.
Këshilli i BE-së merr vendim për t’ua hequr vizat serbëve të Kosovës