Portali boshnjak, “Slobodna Bosna” ka publikuar një tjetër shkrim, duke u vetëkënaqur që në krye të tij me faktin që artikulli i parë u transmetua nga televizioni publik i Kosovës dhe që kjo shkaktoi reagime. Ndërkohë, mediumi boshnjak çan kokën për “fushatën” që u bë ndaj RTK’së e cila publikoi “hulumtimin” ndërsa sulmon edhe Asociacionin e Gazetarëve.
Pasi shkroi se presidenti serb Aleksandar Vuçiq po i vë nën kontroll dy mediume kosovare, Periskopin dhe Nacionalen, në artikullin pasues ky pretendim është zëvendësuar me diçka tjetër.
“Slobodna Bosna” shkruan tash se ka mësuar se “mediat kosovare janë nën observimin e njerëzve të Vuçiqit”, duke përmendur Milan Radoiçiqin si “terroristi nga Banjska”.
Këta rreshta, portali boshnjak pranon se i shkruan “sipas burimeve tona nga Kosova”, ndonëse thirret në “sekrete të BIA-s”.
“Kur bëhet fjalë për mediat kosovare, të cilat, sipas burimeve tona nga Kosova, janë edhe nën observimin e njerëzve të Vuçiqit, të pavërteta janë edhe pretendimet se ata janë në shënjestër dhe se në fakt kërcënohen në këtë rast”, thekson shkrimi.
Se “burimet nga Kosova” e kanë thënë të vërtetën, portali boshnjak thotë se “e dëshmon edhe shkrimi i revistës britanike Frontliner” – si “britanike” i referohet web-faqes në pronësi të Vudi Xhymshitit, një fotografi kosovar që paraqitet si gazetar, për pretendimet e rreme të të cilit në maj iu desh edhe Departamentit amerikan të Shtetit që të reagonte.
Edhe mediat në 🇧🇦 BiH po flasin për 👇🏻 https://t.co/0qgRbrEOcJ pic.twitter.com/uS9p0EPH7G
— Vudi Xhymshiti (@VudiXhymshiti) July 23, 2024
I dërguari i deriatëhershëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kishte reaguar edhe vetë ndaj shpifjeve që Xhymshiti i kishte bërë ndaj tij, duke theksuar dezinformatat e prodhuara nga “një i ashtuquajtur gazetar”, siç i është referuar atij.
“Ky raportim doli pak kohë pasi unë komunikova me qeverinë e Kosovës”, kishte thënë Escobar.