×
  • Lajme
  • Botë

    Binjakët e porsalindur vriten në Gaza teksa babai i tyre shkoi për t’i regjistruar

    Reporteri
    14 Gusht 2024 | 10:22

    Binjakët që kishin vetëm katër ditë jetë janë vrarë në një sulm ajror izraelit në Gaza, ndërsa babai i tyre shkoi për të regjistruar lindjen e tyre.

    Mohamed Abuel-Qomasan tha se gruaja e tij, Joumana Arafa, një farmaciste, kishte lindur me prerje cezariane katër ditë më parë dhe njoftoi ardhjen e binjakëve në Facebook, raportoi Associated Press.

    Të martën ai kishte shkuar për të regjistruar lindjet në një zyrë të pushtetit vendor. Ndërsa ai ishte atje, fqinjët thirrën për të thënë se shtëpia ku ai po strehohej, afër qytetit qendror të Deir al-Balah, ishte bombarduar, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    “Unë nuk e di se çfarë ndodhi,” tha ai për AP ndërsa ishte ulur në spitalin ku u morën trupat e tyre, duke mbajtur certifikatat e lindjes së binjakëve. “Më kanë thënë se ishte një predhë që goditi shtëpinë.”

    Sulmi që vrau të sapolindurit – një djalë, Asser dhe një vajzë, Ayssel – vrau gjithashtu nënën e tyre, Arafa, si dhe nënën e saj, gjyshen e binjakëve. Abuel-Qomasan dhe gruaja e tij kishin dëgjuar urdhrat për të evakuuar qytetin e Gazës në javët e para të luftës. Ata kërkuan strehim në Gaza qendrore, siç kishte udhëzuar ushtria.

    Ushtria izraelite nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi sulmet, raportoi AP.

    Diku tjetër, një foshnjë tre muajshe ishte e vetmja anëtare e familjes së saj të afërt që i mbijetoi një sulmi ajror izraelit pranë qytetit jugor të Khan Younis, në të cilin 10 njerëz u vranë duke përfshirë pesë vëllezërit e motrat e saj, të moshës pesë deri në 12 vjeç.

    Sulmi vonë të hënën vrau gjithashtu prindërit e Reem Abu Hayyah dhe prindërit e tre fëmijëve të tjerë. Reem dhe tre fëmijët e tjerë të mbijetuar u plagosën të gjithë në sulm. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!