×
  • Lajme
  • Botë / Nga 1 janari 2025

    Kroacia rikthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak pas tensioneve në rajon

    Reporteri
    17 Gusht 2024 | 9:29

    Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Kroacia do të prezantojë shërbimin e detyrueshëm ushtarak që do të zgjasë dy muaj.

    Kështu njoftoi ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, i cili dha disa detaje rreth këtij vendimi.

    “Shërbimi i detyrueshëm ushtarak do të zgjasë dy muaj, duke filluar nga 1 janari 2025. Po vazhdojmë me të gjitha aktivitetet që kemi paralajmëruar deri më tani, kemi rritur pagat e ushtarëve, nënoficerëve, oficerëve dhe të drejtat e tyre materiale janë përmirësuar, jo vetëm përmes pagave, por edhe përmes mëditjeve dhe përfitimeve tjera”, tha Anushiq.

    Ministri ka komentuar edhe spekulimet për reduktime të mundshme në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes për shkak të ribalancimit të buxhetit të shtetit, shkruan dnevnik.hr.

    Anushiq theksoi se në marrëveshje me ministrin e Financave kanë vendosur që nuk ka vend për kursime në procesin e modernizimit dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura.

    “Ne vazhdojmë të pajisim dhe modernizojmë Forcat tona të Armatosura sipas planeve dhe marrëveshjeve me aleatët e NATO-s. Jam i bindur se do të kemi një ushtri shumë më të fortë dhe më cilësore sesa kemi pasur deri më tani”, tha Anushiq.

    Ky i fundit theksoi se ky është qëndrimi i Qeverisë së Kroacisë, duke pohuar se situata aktuale e sigurisë nuk lejon kursime në këtë fushë.

    Në vitin 2008, Kroacia pezulloi përkohësisht shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe që atëherë ushtria ka qenë ekskluzivisht në baza vullnetare. Megjithatë, pas agresionit rus në Ukrainë dhe përkeqësimit të situatës globale të sigurisë, Kroacia filloi të shqyrtojë rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. /Telegrafi/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!