×
  • Lajme
  • Botë

    Ushtria izraelite thotë se me gjasë e ka vrarë pa dashje një aktiviste amerikane

    Reporteri
    10 Shtator 2024 | 15:36

    Ushtria izraelite tha se një aktiviste amerikane, e cila u vra në Bregun e pushtuar Perëndimor javën e kaluar, me gjasë u qëllua “indirekt dhe pa dashje” nga forcat izraelite, të cilat po synonin të qëllonin dikë tjetër.

    Aysenur Ezgi Eygi, aktivistja 26-vjeçare nga Siatëll, u vra të premten pas një proteste kundër vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, sipas Jonathan Pollak, një protestues izraelit që ishte dëshmitar i të shtënave.

    Ushtria tha se hetimi i saj “gjeti se ka shumë gjasa që ajo është qëlluar indirekt dhe pa dashje nga ushtria izraelite, e cila nuk e kishte atë në shënjestër, por një nxitës të trazirave”.

    Më herët, Shtëpia e Bardhë tha se ishte “thellësisht e shqetësuar” nga vrasja e Eygi, e cila po ashtu kishte shtetësi turke, dhe i kërkoi Izraelit të hetonte se çfarë ishte ndodhur.

    Pollak i tha Associated Press se të shtënat ndodhën gjysmë ore pasi kishin përfunduar përleshjet mes palestinezëve dhe forcave izraelite.

    Eygi, vullnetare në grupin e aktivistëve, Lëvizja Ndërkombëtare e Solidaritetit, po merrte pjesë në protestën kundër zgjerimit të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor.

    Vrasja e saj ndodhi në kohën kur në Bregun Perëndimor është rritur dhuna që kur ka nisur lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në tetor të vitit të kaluar. Që atëherë, më shumë se 690 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze./REL 

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!