20 vjet më vonë, zjarrfikësit e Arlingtonit kujtojnë ngjarjet e 11 shtatorit të vitit 2001

Në shtator të vitit 20012, Justin Tirelli, kapiten i shërbimeve mjekësore emergjente në Departamentin e Zjarrfikësve të Qarkut të Arlingtonit në Virxhinia, kishte vetëm disa muaj që kishte filluar punën, kur u thirr për të ndihmuar më 11 shtator, pasi një aeroplan u përplas në ndërtesën e Pentagonit.


Justin Tirelli, kapiten i shërbimit mjekësor emergjent në Departamentin e Zjarrfikësve në Arlington të Virxhinias, ishte vetëm 24 vjeç kur një aeroplan i rrëmbyer u përplas në njërin nga muret e ndërtesës së Pentagonit më 11 shtator 2001.

“Kur kemi të bëjmë me një ngjarje të madhe si kjo, 20 vite mund të duken shumë, por mua më duket sikur ka ndodhur dje”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Tirelli dhe shokët e tij e kuptuan se Shtetet e Bashkuara ishin sulmuar kur morën urdhrin për të shkuar në Pentagon.

“Shumë gjëra po ndodhnin atë ditë. Njerëzit po dilnin jashtë ndërtesës, kishte të lënduar, tym dhe një zjarr të madh. Një numër kamionësh të zjarrfikësve dhe makinash policie ishin dislokuar atje. Kishte njoftime për ardhje të avionëve të tjerë. U bënë disa evakuime nga ndërtesa, të pasuara nga urdhra për rikthim në ndërtesë”, thotë ai.

Lufta rraskapitëse kundër flakëve, të shkaktuara nga përplasja e avionit, vazhdoi për orë të tëra.

Gjatë asaj kohe, Tirelli duhej të hynte në Pentagon për të hipur në çati.

Gjatë ngjitjes në çati, ai pa mbetje dhe pjesë të avionit.

Tymi ishte aq i dendur sa Tirelli mendoi se nuk do të dilte i gjallë nga ndërtesa.

“Nuk kishte asgjë tjetër veçse zjarr. Dhe sa herë që spërkatnim ujë, dukej se uji nuk po bënte asgjë, dukej se po hynte në humnerë”, thotë ai.

Tirelli dëgjoi njerëz që bërtisnin dhe qanin dhe pa personelin ushtarak duke vrapuar jashtë ndërtesës.

Ekipi i tij i zjarrfikësve nuk pranoi të pushonte, askush nuk donte të largohej.

“Unë kurrë nuk do t’i harroj disa nga njerëzit që pashë, viktimat që pashë atje. Nuk po pastronim thjesht objekte të shkatërruara, por po nxirrnim trupa të pajetë të njerëzve, familjet e të cilëve ishin në pikëllim nga humbja e të dashurve të tyre. Trupat e viktimave, e bënin më të rëndë ngjarjen. Ndonëse nuk i kam takuar kurrë familjet e tyre, ndihem i lidhur me ta.”

Sulmi në Pentagon i ndryshoi jetën kapiten Tirellit. Megjithatë, zjarrfikësi nuk ndihet si hero. Ai thotë se kjo ishte thjesht puna e tij.

Edhe pas 20 vjetësh, ai përkujton çdo përvjetor të sulmeve të 11 shtatorit 2001./voa