×
  • Lajme
  • Botë

    7 arsyet pse Jacinda Ardern duhet të nominohet për Çmimin Nobel për Paqe

    Reporteri
    23 Mars 2019 | 15:26

    Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern ka bërë për vete njerëzit në mbarë botën me menaxhimin e situatës pas sulmit terrorist në Christchurch të këtij vendi, që la të vdekur 50 persona dhe shumë të lënduar. 


    Ardern, kryeministrja më e re femër në botë ka dëshmuar aftësi të jashtëzakonshme si udhëheqëse gjatë sulmit më të madh terrorist që ndonjëherë ka ndodhur në këtë vend. Ndërsa Ardern ka siguruar një pikë stabiliteti për të gjithë zelandezët, ndërkohë që vendi vazhdon ta marrë veten nga një sulm, që disa javë më parë do të dukej i paimagjinueshëm, veprimet e saj kanë prekur personalisht të afërmit e atyre që kanë vdekur në masakër, transmeton Reporteri.net

    Njerëzit në mbarë botën po bëjnë thirrje që Ardern të nominohet për Çmimin Nobel për Paqe.

    A duhet Jacinda Ardern ta fitojë çmimin Nobel për Paqe?

    Reporteri.net ju sjell 7 arsyet pse përgjigjja është PO!

    1. Ajo e drejtoi akuzën për dënimin e terroristit që në emër të supremacisë së bardhë vrau 50 besimtarë myslimanë, ndërkohë që po kryenin lutjet e së premtes.Kryeministres së Zelandës së Re iu deshën vetëm 24 orë që rastin ta përkufizonte si sulm terrorist.

    Ajo para popullit zelandez e quajti sulmuesin si terrorist por asnjëherë nuk pranoi t’i drejtohej në emër.

    Në të kundërtën, presidenti i shtetit më të fuqishëm në botë, Donald Trump, pasi u pyet për rritjen e supremacizmit të bardhë dhe rreziqeve që ai paraqet në nivel global, Trump u përgjigj se nuk ekziton një rrezik i tillë.

    2. Ardern e zhvendosi fokusin global nga fajtori tek viktima

    Në raste të tragjedive të tilla, Ardern i tregoi botës se fokusi duhet të përqëndrohet tek viktimat e sulmit dhe jo tek autorët e tyre. Për më tepër ajo asnjëherë nuk pranoi ta përmendte emrin e supremacistit të bardhë Brenton Tarrant. Kjo u konsiderua si mbështetje jashtëzakonisht e madhe për komunitetin mysliman në vend.

    3. Ardern e mbështeti jashtëzakonisht shumë komunitetin mysliman të Zelandës së Re pas tragjedisë shumë më shumë me vepra sesa me ‘mendime dhe lutje’.

    Ajo u premtoi familjarëve të viktimave se do të mbulojë shpenzimet e varrimit, qëndroi me ta dhe shkoi përkrah tyre me shami në kokë për t’i nderuar. Po ashtu Ardern mori pjesë bashkë me ta në lutjet e së premtes në Christchurch.

    Edhe para se të thoshte një fjalë të vetme, vendimi i thjeshtë i Ardernit për të mbuluar flokët, shërbeu për t’iu treguar familjeve që i respekton dhe dëshiron të lehtësojë dhimbjen e tyre.

    4. Politika e saj progresive dhe vendimtare

    Pasi sulmi terrorist, më i tmerrshmi në historinë e vendit erdhi si pasojë e armëve ushtarake, Ardern mori vendimin e prerë për të ndaluar përdorimin e armëve automatike në vend. Ajo këtë e bëri vetëm një javë pasi dha premtimin.

    5. Ajo nuk ka frikë të kritikojë kompanitë e mëdha globale si Facebook për rolin e tyre në shpërndarjen e  përmbajtjes së rrezikshme online të sulmit në Christchurch

    Ardern tha se mediat sociale duhet të jenë një platformë neutrale më tepër sesa të shërbejnë si kanal pë promovimin e akteve të tilla: Ata janë botuesi jo vetëm postieri. Nuk mund të ketë fitim, pa përgjegjësi.

    Kjo deklaratë erdhi pasi mijëra njerëz kanë shpërndarë videon e sulmit terrorist që ishte ngarkuar në rrjetet sociale.

    6. Ardern ka një histori të gjatë të përfshirjes në politikë

    Ajo bëri edhe një premtim tjetër të madh duke premtuar se gjuha maore do të futet në shkollat e Zelandës së Re në vitin 2025. Maori është një nga tre gjuhët që do të njihen në Zelandën e Re. Gjuha Maori flitet nga popullata indigjene në Zelandë.

    7. Ajo ka një histori të diskursit publik kundër padrejtësive 

    Ardern gjithmonë ka qenë në përkrahje të emigrantëve dhe grupeve të diskriminuara etnike.

    Ardern në diskursin e saj publik dënoi sulmet në kufirin e Gazës dhe dënoi shkeljen e të drejtave të myslimanëve ujgur në Kinë. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!