×
  • Lajme
  • Botë

    BE-ja ia jep Britanisë edhe tre muaj afat për Brexit-in

    Reporteri
    28 Tetor 2019 | 11:20

    Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka njoftuar përmes një postimi në Twitter se Bashkimi Evropian është pajtuar t’ia ofrojë Britanisë së Madhe edhe tre muaj shtesë për të arritur marrëveshje të brendshme rreth Brexit-it.


    Tusk tregoi se blloku i BE-së ia ka mundësuar Britanisë që të largohet nga Bashkimi Evropian edhe para 31 janarit të vitit 2020, nëse marrëveshja për këtë çështje miratohet në kuvendin britanik para kësaj date.

    Njoftimi për shtyrjen e dytë të afatit erdhi në kohën kur kryeministri britanik, Boris Johnson, po përgatitet ta dërgojë për votim në kuvend propozimin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme më 12 dhjetor.

    Në një draft-dokument të marrëveshjes për shtyrje të afatit për Brexit-in, të siguruar nga gazeta “The Guardian”, nuk përmendet data 15 nëntor, e cila ishte propozuar nga Franca si datë e largimit të Britanisë së Madhe nga BE-ja.

    Për më tepër, në një deklaratë të Bashkimit Evropian, e cila është e bashkëngjitur si shtojcë në këtë draft, thuhet se nuk do të ketë negociata për marrëveshjen rreth Brexit-it dhe se marrëveshja e tanishme do të respektohet.

    Afati paraprak për Brexit-in ishte data 31 tetor. Megjithatë, kryeministri Johnson nuk kishte arritur t’i sigurojë votat e mjaftueshme në kuvend për ta miratuar marrëveshjen e tij me Bashkimin Evropian, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!