Britania do t’i vaksinojë të gjithë të rriturit para se t’u japë vaksina vendeve tjera

Ministri britanik për Biznes, Kwasi Kwarteng, tha të martën se Britania do të përqendrohet në vaksinimin e të gjithë të rriturve para se të mund të ofrojë doza shtesë të vaksinës për shtetet tjera.


Më shumë se 30 milionë britanikë e kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër Covid-19, ndërsa synohet që të gjithë të rriturit ta marrin edhe dozën e dytë deri në fund të korrikut, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Britania është shteti me procesin më të shpejtë të vaksinimit për Covid-19 në Evropë, por është përplasur me Bashkimin Evropian rreth furnizimit me vaksina. Vaksinimi në vendet e BE-së është duke u zhvilluar shumë më ngadalë.

“Mendoj se fokusi ynë duhet të jetë që të mundohemi që ta mbajmë Britaninë të sigurt. Ne duam të punojmë edhe me bashkëpunim me vendet tjera, por prioritet kryesor është që të bëhet vaksinimi”, tha ministri britanik.

I pyetur nëse Britania do të ketë mundësi që ta ndihmojë Irlandën, ai tha: “Nëse ka doza tepër, atëherë mund t’i ndajmë, por nëse nuk ka doza tepër për momentin, ne ende kemi një numër shumë të madh të njerëzve për t’u vaksinuar”, shtoi ministri.