×
  • Lajme
  • Botë

    Gjermanët protestojnë për qiratë e larta, kërkohet shtetëzimi i apartamenteve

    Reporteri
    07 Prill 2019 | 13:55

    Qiratë e larta të apartamenteve, të rritura gati me dyfishin e çmimit në dekadën e fundit, detyroi të shtunën mijëra qytetarë gjermanë ta shprehin revoltën e tyre përmes protestave kudo nëpër vend.


    Në sheshin “Aleksandër-plac” të Berlinit, organizatorët thanë se numri i demonstruesve arriti mbi 40 mijë, ndërsa grupe më të vogla u raportuan edhe në Kolonjë, Mynih dhe Frankfurt.

    Pjesëmarrësit kërkuan shtetëzimin e rreth 250 mijë apartamenteve të zotëruara nga kompanitë private që kanë portofolin më të madh të pasurive të patundshme në vend.

    Firmat e patundshmërisë mendohet se nga viti në vit rritin artificialisht çmimet e qirave, veçanërisht në Berlin, duke përfituar nga bumi ekonomik dhe prurjet e huaja si pasojë e vendeve të lira të punës.

    Debati për shtetëzimin e apartamenteve private është kritikuar si tejet ideologjik e madje kthim në socializëm nga kundërshtarët e lëvizjes, ndërsa realizimi i projektit vlerësohet se do të kushtonte rreth 30 miliardë euro.

    Për të përmbushur qëllimin e tyre, organizatorët do i paraqitin një peticion me 20 mijë firma administratës së Berlinit dhe kanë paralajmëruar një referendum popullor nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.

    Qiratë mesatare për apartamentet në qendrën e kryeqytetit gjerman lëvizin nga 840 euro deri në 1.900 euro për muaj për apartamentet më të vogla, dhe janë 20 për qind më të larta nga viti i kaluar.Statistikat më të fundit tregojnë se 48 për qind e banorëve në Gjermani jetojnë në një apartament me qira, ndërsa pjesa tjetër e kanë blerë me financat e tyre.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!