×
  • Lajme
  • Botë

    Gjermania pritet t’i zgjasë masat kufizuese edhe në dhjetor

    Reporteri
    22 Nëntor 2020 | 14:35

    Gjermania do t’i zgjasë masat aktuale kufizuese për të parandaluar përhapjen e koronavirusit edhe në dhjetor, kanë thënë top-politikanët, shkruan agjencia Reuters.


    Gjermania ka aplikuar një mbyllje më të lehtë nga 2 nëntori që ka thënë se do të jetë për një muaj, për të ulur numrin e të infektuarve.

    “Çdo gjë po ëon te faktet se kufizimet aktuale duhet të zgjaten përtej 30 nëntorit”, ka thënë ministri i Financave, Olaf Scholz, për “Bild am Sonntag”.

    Baret e restorantet janë mbyllur, po shkollat dhe shitoret mbesin të hapura. Tubimet private janë të lejuara, por me një kufizim prej maksimum dhjetë personave dhe dy familjeve.

    Kreu i CSU-së në Bavari, Markus Soeder, ka thënë se në rrethana ideale maat do të zgjerohen për tri javë, pra deri më 20 dhjetor.

    “Vala është thyer, por për fat të keq numri i infeksioneve nuk po ulet. Kujdesi intensiv vazhdon të jetë i ngarkuar dhe numri i të vdekurve po rritet. Për këtë arsye nuk mund të hiqen masat”, ka thënë Soeder.

    Ai ka thënë se kinematë, baret e hotelet duhet të mbesin të mbyllura, duke shtuar se duhet të kenë ndalim edhe për mjete piroteknike e alkool në natën e Vitit të Ri në sheshe të mëdha.

    Kancelarja gjermane Angela Merkel do të takohet me liderët e landeve gjermane më 25 nëntor për të diskutuar nëse duhet të zgjaten kufizimet përtej 30 nëntorit.

    Scholz ka thënë se do të vazhdohet me pako ndihme për sipërmarrjet e prekura nëse vazhdohet me kufizime, por ka thënë se vazhdimi i kompensimit të 75 për qind të të hyrave të humbura, do të jetë sfidë sipas ligjeve të konkurrencës evropiane.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!