Gjiganti kinez i telefonave ngre padi kundër SHBA-së

Gjiganti kinez i telekomit, Huawei përshkallëzoi betejën e tij ligjore gjatë së mërkurës, në kërkim të përmbysjes së legjislacionit amerikan që pengon agjencitë federale në SHBA të blejnë produktet e tij.


Huawei dorëzoi padinë ndaj pr.ligjit amerikan në mars, duke e quajtur atë “antikushtetues”, ndërsa tha gjithashtu se Kongresi amerikan ka dështuar të japë prova që mbështesin kufizimet e vendosura ndaj produkteve të gjigantëve të teknologjisë.

Kompania dorëzoi një padi për gjykim përmbledhës këtë të mërkurë (të martën në SHBA), duke kërkuar një përcaktim të shpejtë nga gjykatat amerikane nëse çështja ka baza për të vijuar më tej të zbatohet.

“Qeveria amerikane nuk ka dhënë asnjë provë që të tregojë se Huawei përbën një kërcënim për sigurinë. Nuk kemi parë as armë, as tym. E gjitha është një spekulim”, tha juristi i Huaweit, Song Liuping për reporterët.

Duke folur nga selia e Huaweit, në qytetin Shenzen të Kinës jugore, Song shtoi se politikanët amerikanë “duan të na nxjerrin jashtë biznesit”.

Firma përballet gjithashtu me një urdhër ekzekutiv amerikan, që pengon përdorimin e pajisjeve të saj në Shtetet e Bashkuara, sikurse edhe përfshirjen tejet të dëmshme gjatë këtij muaji në një listë entitetesh që pengon gjigantin kinez të shfrytëzojë përbërës të rëndësishëm të prodhimit amerikan për produktet e tij, edhe pse ky urdhër ekzekutiv është bërë inaktiv për 90 ditë.

Huawei, furnizuesi më i madh në botë me pajisje ndërlidhjeje të telekomunikacionit dhe numri dy në botë sa i përket prodhimit të “smartphone”-ve, u bë padashur një pikë kyçe e tematikës së rivalitetit tregtar në përkeqësim të vazhdueshëm mes Kinës dhe SHBA-ve.

Uashingtoni ka shprehur frikën se sistemet e Huaweit mund të manipulohen nga Pekini zyrtar për të spinuar vende të tjera dhe për të ndërprerë lidhje të rëndësishme komunikimi, ndërkohë që ka urdhëruar edhe kombet e tjera të shmangin këtë kompani nga kontratat e rrjeteve 5G.

Media shtetërore kineze sugjeroi gjatë kësaj të mërkure se Pekini do të kundërpërgjigjet në këtë luftë tregtare, duke ndërprerë eksportet e produkteve të rralla, duke penguar kësisoj kompanitë amerikane të zotërojnë produktet kyçe që çojnë në prodhimin e “smartphone”-ve, televizorëve apo kamerave./tch