×
  • Lajme
  • Botë

    “I lutesha Zotit që t’i harxhoheshin plumbat” – rrëfimet rrëqethëse të dëshmitarëve nga sulmi në Zelandë

    Reporteri
    15 Mars 2019 | 13:23

    “Njerëzit po iknin, dyert ishin të mbyllura dhe ai po i ndiqte ata, e dija se nuk kisha mundësi, u fsheha pjesërisht nën një tavolinë, nuk merrja frymë, ai mbushi municionin shtatë herë!” , është rrëfimi rrënqethës i  Farid Ahmed, një nga të mbijetuarit e sulmit terrorist në qytetin e Christchurch të Zelandës së Re ku të paktën 49 vetë u vranë dhe dhjetra të tjerë mbetën të plagosur, transmeton Reporteri.net


    Shtetasi australian Brenton Tarant (28) sulmin makabër e transmetoi drejtpërdrejt edhe në rrjetet sociale.

    Një besimtar tjetër që u mbijetoi të shtënave, tha se Imami kishte filluar lutjet kur u dëgjuan të shtënat. “Njerëzit filluan të vrapojnë, kur pashë gjak, kuptova se çfarë po ndodhte” , rrëfeu ai, përcjell Reporteri.net.

    “Po mendoja që në një moment do t’i harxhoheshin plumbat. I lutesha Perëndisë: “Të lutem, Zot, të lutem le t’i harxhohen plumbat. Në një moment, dëshiroja të dilja por një burrë tjetër që ishte aty afër më tha që më mirë do të ishte të qëndroj aty.  U ktheva, pak çaste më vonë sulmuesi hyri dhe e qëlloi atë njeri, e qëlloi në gjoks”, rrëfen ky njeri që preferoi te mbetej anonim.

    “Tre burra dhe një grua janë në paraburgim”, tha shefi i policisë Mike Bush, por paralajmëroi se mund të ketë më shumë të dyshuar që ndihmuan sulmuesin. Tarant është përshkruar si një terrorist i dhunshëm dhe ekstremist i djathtë.

    Nur Hamza, 54 vjeç, nga Malajzia, tha se ai dhe shumë njerëz të tjerë vrapuan jashtë xhamisë kur filluan të shtënat, shkruan Reporteri.net. Ata u fshehën pas një makine aty pranë. Pastaj policia e armatosur hyri në xhami dhe Hamza thotë se pa trupat e vdekur në hyrje të xhamisë. Kur shikoi nga dritarja, ai  i tmerruar pa”një mori trupash”.

    Reuters transmeton dëshminë e një dëshmitari tjetër okular i cili thotë se sulmuesi ishte i bardhë dhe mbante një përkrenare dhe jelekë antiplumb.

    “Ai kishte një armë të madhe … hyri dhe filloi të gjuante drejt të gjithëve në xhami”, tha Ahmad Al-Mahmoud, i cili së bashku me disa besimtarë të tjerë arriti t’i shpëtojë sulmit.

    Radio Zelanda e Re transmeton fjalët e një dëshmitari okular të tretë që thotë se dëgjoi të shtëna dhe pa të paktën katër njerëz të shtrirë në dysheme dhe se “gjaku ishte kudo”. Mahmoud Nazar i tha një televizioni se ai u fsheh nga sulmuesit nën  një tavolinë.

    “E lusja Perëndinë që të ndalojë këtë njeri”, tha Nazer për TVNZ. “Të shtënat vazhduan dhe vazhduan, një person pran; nesh u qëllua në dorë”, përfundoi ai. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!