×
  • Lajme
  • Botë

    Kush është shkrimtari kontrovers që po reagon e gjithë bota kundër tij

    Reporteri
    11 Tetor 2019 | 8:03

    Akademia suedeze “Nobel” ka zgjedhur sot fituesin për letërsi për vitin 2019 shkrimtarin austriak, Peter Handke. Por fitorja e tij është duke u kundërshtuar nga e gjithë bota, me të vetëm arsye se Handke është përkrahës i “Kasapit të Ballkanit”, Sllobodan Millosheviq.


    Por kush është Handke që po iu kontestohet çmimi.

    Peter Handke ka lindur më 1942 në një fshat të quajtur Griffen në jug të Austrisë, vend ky edhe i vendlindjes së nënës së tij Martia, që i përkiste pakicës sllovene në shtetin austriak. Babai i tij ishte një ushtar gjerman të cilin nuk e takoi deri sa Handke kishte arritur moshën madhore.

    Shkollën ai e kishte nisur në fshatin e tij derisa pastaj kishte vazhduar shkollën e mesme të krishterë në qytetin Klagenfurt, ndërsa në vitin 1961 kishte filluar studimet për drejtësi në Universitetin e Grazit, për t’i ndërprerë pastaj studimet për të botuar romanin e ti të parë “Die Hornissen”, të botuar në vitin 1966.

    Më shumë se pesëdhjetë vjet ku kishte prodhuar një numër të madh veprash në zhanre të ndryshme, ai ishte vlerësuar si një nga shkrimtarët më me ndikim në Evropën e Luftës së Dytë Botërore.

    Bibliografia e tij përmban romane, ese, libra me shënime, vepra dramatike dhe skenare, raporton Insajderi.

    Puna e tij karakterizohet me një frymë të fortë aventureske me një prurje nostalgjike, ku më së shumti vërehet në dramën “Uber die Dorfer” të botuar në vitin 1981 e veçanërisht kjo frymë nostalgjike e tij vërehet në romanin “Die Wiederholung” e vitit 1986.

    Handke aktualisht konsiderohet si njëri nga autorët më të mirë bashkëkohorë. Derisa ai është treguar shumë rebel ndaj trashëgimisë së tij atërore pasi që është ndjerë i tradhtuar nga nazistët me ç’rast ka zgjedhur që prejardhja e tij të jetë sllovene.

    Por ndonëse Handke është në mesin e shkrimtarëve më me ndikim bashkëkohor e gjitha bota është duke e kundërshtuar çmimin e tij “Nobel për Letërsi” me të vetmën arsye se është mbështetës i “Kasapit të Ballkanit”, Sllobodan Millosheviq.

    Gjatë gjithë ditës së sotme ka pasur shumë reagime lidhur me fituesin e çmimit Nobel për Letërsi, e ndër ta ka qenë edhe ambasadorja kosovare në Amerikë, Vlora Çitaku, e cila e konsideron të papranueshme që ky çmim t’i jepet Peter Handkes.

    Çitaku ka pasur edhe disa replika me shkrimtarin Selman Rushdie, i cili është pajtuar me atë që kishte thënë ambasadorja për Handken.

    “I dashur Salman, besoj që e ke lexuar lajmin për laureatin e fundit të çmimit Nobel për letërsi. Jam e shokuar. Është goditje në fytyrë për të gjitha viktimat e regjimit të Millosheviqit”, ka shkruar Çitaku në Tëitter.

    Ndërkaq shkrimtari britaniko-indian me famë botërore thotë se ka shkruar për ideologjinë e Handkes njëzet vjet më parë dhe se pajtohet me atë që dhënia e çmimit Nobel është ofendim për viktimat e Millosheviqit.

    “Kam shkruar për ideologjitë e Handkes 20 vjet më parë. Pajtohem me ty”, ka shkruar shkrimtari Rushdie”.

    Këtyre kundërshtimeve iu është bashkuar edhe Shoqata e Shkritmarëve në Shtetet e Bashkaura të Amerikës. Ata kanë dalë me një komunikatë përmes së cilës kanë kritikuar dhënien e çmimit Nobel për Letërsi, shkrimtarit Peter Handken.

    “PEN Amerikan, përgjithësisht nuk i komenton çmimet për letërsi që i japin institucionet e tjera. Ne e dimë që këto vendime janë subjektive dhe kriteret nuk janë uniforme. Megjithatë, kjo deklaratë për dhënien e cmimit Nobel për Peter Handke duhet të jetë një përjashtim”, thuhet në komunikatë.

    “Ne jemi të shokuar për përzgjedhjen e një shkrimtari që ka përdorur zërin e tij publikisht që të shtrembërojë të vërteta historike dhe t’i japë përkrahje për kryesit e gjenocideve si ish-presidenti serb, Slobodan Millosheviq dhe ish-lideri serb i Bosnjes, Radovan Karagjiq”, shkruan më tej PEN America

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!