×
  • Lajme
  • Botë

    Macron zotohet ta rindërtojë Notre Dame, tregon për sa vjet

    Reporteri
    17 Prill 2019 | 9:21

    “Do ta rindërtojmë Notre Dame edhe më të bukur”, premtoi kreu i shtetit francez, Emmanuel Macron, i cili vuri edhe një afat për rikthimin e pamjes së vjetër të Katedrales gotike 850-vjeçare, simbol i katolicizmit francez në një republikë të kushtuar laicizmit.


    Sipas tij, kjo do të ndodhë brenda 5 vitesh. Vëmendja që Macron ka hedhur drejt projektit më të rëndësishëm sot mbarëkombëtar u shndërrua në një thirrje uniteti në Francën e fragmentuar. “Le të fokusohemi këtu dhe të harrojmë politikën”, ishte komenti i tij.

    “Po, ne mund t’ia dalim. Ne mund ta rindërtojmë Katedralen Notre Dame më të bukur se kurrë dhe dua që kjo të përfundojë brenda 5 vitesh. Do të mobilizohemi maksimalisht që të arrijmë një gjë të tillë”, tha Macron.

    Katedralen, nga sa vlerësojnë ekspertët, vetëm pak minuta e ndanë nga shkatërrimi total. Pavarësisht entuziazmit të shefit të “Élysée”-së, ata thonë se rindërtimi në fakt mund të kërkojë dekada të tëra dhe këmbëngulin se, fillimisht duhet siguruar qëndrueshmëria e strukturës, përpara se të kalohet te restaurimi.

    Plot 800 mln euro janë premtuar deri tani për këtë qëllim nga një numër kompanish dhe manjatësh të biznesit. Sesi nisi zjarri, kjo ende po hetohet, edhe pse autoritetet janë duke e trajtuar më tepër si aksident dhe janë fokusuar te punëtorët e përfshirë në punimet e meremetimit.

    Në një mbështetje për fjalët e Macronit, ndërkohë, politika franceze u ndal vërtet të martën, me partitë që shpallën “armëpushim” sikur të ishte kohë lufte dhe vendi të gjendej nën sulm armik.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!