Mbi 1 mijë fëmijë u vranë në Siri vetëm në vitin 2018

Fëmijët sirianë, kërkuan edhe përmes këngës që t`u kthehet fëmijëria.


Në zonat e konfliktit, qindra prej tyre vuajnë çdo ditë, madje edhe nga uria.

Por nga vendimet e të rriturve, fëmijët e gjendur në zonat e konfliktit vuajnë shumë…

Kamera të mediumeve botërore, qëndruan kohë pas kohe në zonat e konfliktit për të parë se si jetojnë ose mbijetojnë fëmijët atje.

Kur pamja e vogëlushit Omran Danqeesh të larë në gjak dhe pluhur të rrënojave u shpërnda nëpër botë, tregoi më së miri se sa shumë vuajnë fëmijët në Siri .

Imazhi i Omarit i ulur në autoambulancë, fytyra e të cilët ishte e mbuluar me pluhur dhe gjak pas sulmeve ajrore, kishte përlotur gjithë botën gjatë vitit të kaluar.

UNICEF e ka cilësuar alarmante gjendjen në Siri për sa i përket fëmijëve.

Sipas të dhënave të fundit të verifikuara nga Kombet e Bashkuara, vetëm në vitin 2018 kanë mbetur të vrarë 1.106 fëmijë.

Ky është bilanci më i rëndë në vetëm një vit që nga fillimi i luftës në 2011-ën.

Këta janë numrat që organizata e Kombeve të Bashkuara ka qenë në gjendje të verifikojë, por shifrat mund të jenë dhe më të larta.

Minat janë dhe shkaku kryesor i vdekjes së fëmijëve në Siri, një vit më parë ata që humbën jetën ose mbetën të plagosur si pasojë e minave të pashpërthyera kanë qenë 434.

Ndërsa në vitin 2018 ka pasur dhe sulme ndaj shkollave dhe qendrave shëndetësore.

Fëmijët rezultojnë viktimat kryesore të luftës në çdo palë pasi dhe fëmijët e luftëtarëve të ISIS kanë një të ardhme jo  të sigurt .

Sipas përllogaritjeve rreth 2 milionë fëmijë sirianë nuk shkojnë në shkollë, dhe afro 1 milion e atyre që janë larguar nuk po marrin arsimin e duhur.

Ekspertët paralajmërojnë se lufta në Siri po krijon një “gjeneratë të humbur” që do të ketë pasoja shkatërrimtare për vendin, i cili do të ketë nevojë për rindërtim kur të përfundojë lufta.