×
  • Lajme
  • Botë

    Merkel viziton në spital Navalnin

    Reporteri
    28 Shtator 2020 | 23:50

    Kancelarja gjermane Angela Merkel i bëri një vizitë personale politikanit rus të opozitës Aleksej Navalni, i cili po kurohet në një spital të Berlinit për helmim, në atë që zëvendëskancelari Olaf Scholz e quajti të hënën një “sulm vrasës”.


    Komenti i zotit Scholz dhe lajmi për vizitën e Kancelares Merkel ka të ngjarë ta zemërojë Moskën, e cila i ka hedhur poshtë përfundimet e ekspertëve gjermanë, francezë dhe suedezë se zoti Navalni u helmua me një agjent nervor në Rusi muajin e kaluar.

    Rusia e ka kritikuar vazhdimisht Gjermaninë, duke thënë se ajo dështoi të ndajë informacionet për çështjen në fjalë.

    “Ishte një vizitë personale tek Navalni në spital,” tha zëdhënësi i zonjës Merkel Steffen Seibert në një konferencë të rregullt për shtyp, duke mos pranuar të japë hollësi se për çfarë u fol dhe sa kohë zgjati takimi.

    Zoti Navalni shkroi në Twitter se ishte “një takim privat dhe bisedë me familjen.” Ai shtoi: “I jam shumë mirënjohës Kancelares Merkel që më vizitoi në spital”.

    Aleksej Navalni u dërgua nga Rusia në Berlin muajin e kaluar, pasi u sëmur gjatë një fluturimi me linjat e brendshme në Rusi. Ai u trajtua në Spitalin Charite për 32 ditë para se të dilte javën e kaluar.

    Zv/kancelari Scholz tha se organizatat ndërkombëtare kishin konfirmuar në mënyrë të pavarur se Navalni ishte helmuar me agjentin nervor të tipit sovjetik

    Novichok, dhe i kërkoi Moskës që të bashkëpunojë në hetimin rreth asaj që ndodhi.

    “Ishte një sulm i egër, vrasës,” u tha zoti Scholz anëtarëve të shoqatës së shtypit të huaj VAP në Berlin.

    “Dhe kjo është arsyeja pse ne i bëjmë thirrje Rusisë që të bashkëpunojë në hetim. Sigurisht, Evropa do të duhet të vendosë bashkarisht për përgjigjen e duhur,” tha ai.

    Gjermania mban kryesinë e rradhës të BE-së me 27 vende anëtare.

    Çështja Navalni i ka përkeqësuar më tej marrëdhëniet midis Moskës dhe një numri vendesh perëndimore. Zonja Merkel është përballur me thirrje për të pezulluar tubacionin gati të përfunduar të gazit Nord Stream 2, i cili ka për qëllim të sjellë më shumë gaz rus drejtpërdrejt në Gjermani.

    I pyetur nëse sanksionet evropiane kundër Rusisë duhet të përfshijnë edhe tubacionin Nord Stream 2, zoti Scholz tha se tubacioni është projekt në pronësi private i afro 100 kompanive, duke shtuar se ndërtimi i tij do të ulte varësinë e Gjermanisë në sektorin e energjisë.

    Nord Stream 2 drejtohet nga gjigandi shtetëror rus i gazit Gazprom, me gjysmën e fondeve të siguruara nga Uniper i Gjermanisë dhe filiali Wintershall i BASF, kompania anglo-holandeze Shell, si dhe OMV dhe Engie të Austrisë./VOA/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!