×
  • Lajme
  • Botë

    Mjeku italian: Nuk i pëlqej selfiet dhe s’jam hero, e dua punën dhe jam krenar që po shpëtojmë jetë

    Reporteri
    17 Mars 2020 | 16:44

    “Nuk më pëlqejnë selfiet. Megjithatë, dje, unë e bëra këtë foto. Pas 13 orësh në Kujdes Intensiv, pasi hoqa të gjitha pajisjet mbrojtëse, bëra një selfie”. Kështu shkruan ndër të tjera një mjek italian në një postim të tij bashkë me një fotografi të tij, në të cilën duket tejet i lodhur dhe shihet qartë se si pajisjet mbrojtëse e kanë dëmtuar në fytyrë.


    Fotografia e postuar në Facebook nga Nicola Sgarbi, mjek në spitalin Modena, bëri bujë në mediat sociale: Ajo fytyrë e rraskapitur, me shenjat e kuqe të lëna nga maska dhe syzet e veshura për shumë orë, po bëhen simbol i mjekëve dhe infermierëve që luftojnë çdo ditë kundër Coronavirus.

    Italia është tanimë vendi më i goditur nga virusi në fjalë. Rreth 2 mijë të vdekur janë shënuar deri më tani nga gati 30 mijë sa janë prekur nga virusi. Në Itali sidomos gjendja në spitale është e rënduar, pasi nuk ka shtretër për gjithë të prekurit dhe për më tepër nuk ka respiratorë të mjaftueshëm për të gjithë. Atje thuhet se tashmë ata që kanë gjasa më të mëdha të shpëtojnë e gëzojnë edhe trajtimin më të mirë, të tjerët, nën mëshirën e fatit. Të vdekurit janë kryesisht pleq, shkruan Reporteri.

    Mjeku Sgarbi ka bërë thirrje që popullata të ndihmojë, duke qëndruar brenda.
    “Unë nuk jam dhe nuk ndjehem si një hero. Unë jam një person normal që e do punën e tij dhe që, tani më shumë se kurrë është krenar, dhe të gjithë në vijën e parë, së bashku me njerëz të tjerë të mrekullueshëm: mjekë, infermierë, teknikë, pastrues. Për këtë nuk më interesojnë orët e shumta në punë, shenjat mbi mua, dhimbjet e shpinës, lodhja, ushqimet e anashkaluara dhe shumë më tepër: e gjithë kjo do të kalojë … Do t’ju kalojë falë edhe juve dhe përkushtimit tuaj dhe sakrificave tuaja, do të kalojë nëse ne jemi të bashkuar në një përpjekje të jashtëzakonshme të përbashkët. Mos u dorëzoni. Asnjëherë! “, ka shkruar ai./Reporteri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!