×
  • Lajme
  • Botë

    Obama: Demokratët po “pushkatojnë” njëri-tjetrin

    Reporteri
    07 Prill 2019 | 15:23

    Mungesa e kompromisit rreth çështjeve madhore po i përball demokratët amerikanë me sfida brendapartiake për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Ish-presidenti Barak Obama thotë se kandidatë të fraksioneve të ndryshme të Partisë Demokratike do të vriten politikisht nëse nuk bashkohen në kohë kundër objektivit të tyre të vetëm, Donald Trump.


    Demokratët progresistë dhe ultramajtistët që kandidojnë për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Shtetet e Bashkuara duhet t’i japin fund luftës brenda partisë nëse duan që ta mundin kreun aktual të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump.

    Këtë shqetësim e ka ndarë ish-presidenti amerikan, Barak Obama, në një event që fondacioni i tij organizoi të shtunën në Berlin me aktivistë të rinj nga 35 shtete të botës.

    “Gjëja që ndonjëherë më shqetëson me progresistët në Shtetet e Bashkuara, por mbase kjo vlen edhe këtu, janë qëndrimet e prera për problematika të caktuara, ku njëra palë thotë ‘Na vjen keq por kjo do bëhet siç them unë.’ Kjo çon në ato që unë do i cilësoja ‘toga të pushkatimit në qark’, ku ti fillon të qëllosh aleatët e tu pse devijojnë nga kauza jote”, ka thënë Obama.

    Demokrati që kryesoi Shtëpinë e Bardhë për tetë vite me radhë tha se mungesa e kompromisit dëmton më së pari Partinë Demokratike.

    “Në demokracinë që kemi ndërtuar është e ditur se ka njerëz që nuk bien dakord me këdo, dhe se askush nuk merr 100 për qind të asaj që kërkon. Nuk mund të kemi një sistem ku kompromisi mungon apo ekziston për gjithçka”.

    Deklaratat e Obamës vijnë në një kohë kur për zgjedhjet e vitit 2020 në SHBA janë rreshtuar mbi 20 kandidatë demokratë, por pikëpamjet e tyre ndryshojnë kur bëhet fjalë për ide madhore si shërbimi mjekësor universal apo beteja ndaj ndryshimeve klimatike.

    Duke folur për Europën, dhe pas një takimi privat me kancelaren gjermane Angela Merkel, ish-kreu i shtetit amerikan tha se ai nuk mbështet një parti të caktuar politike dhe se as vetë nuk aspiron të mbajë një post tjetër politik.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!