×
  • Lajme
  • Botë

    Pas sulmit në xhami, Zelanda e Re ndryshon ligjin për armët

    Reporteri
    18 Mars 2019 | 10:02

    Qeveria në Zelandën e Re mbështeti në parim ndryshimet në ligjin e armëve, të cilat kryeministrja Jacinda Ardern i deklaroi menjëherë pas masakrës në dy xhami të Christchurchit.

    Ardern shpjegoi se detajet mbi reformën do të bëhen publike deri më 25 mars.

    “Kjo do të thotë se, 10 ditë pas këtij akti të tmerrshëm terrorist, neve do të na duhet të njoftojmë reformat, që besoj se do ta bëjnë më të sigurtë komunitetin tonë. Kemi marrë një vendim si kabinet. Mbi këtë jemi të gjithë të bashkuar”, tha Ardern.

    Shefja e ekzekutivit pohoi gjithashtu se hetimi i nisur mbi ngjarjen e rëndë do të shikojë të gjitha shkaqet që çuan drejt saj, me shpresën se do të tregojë gjithashtu se çfarë mund të ishte bërë ndryshe.

    Nëntë persona janë në spital në gjendje kritike për jetën, ndërsa mbi australianin Brenton Tarrant u ngrit akuza për vrasje me paramendim. Policia thotë se 28-vjeçari ka përdorur armë të tipit ushtarak për sulmin, të cilat për më tepër ishin modifikuar përpara ngjarjes me qëllimin që të bëheshin sa më vdekjeprurëse. Ai kishte licencë për armëmbajtje dhe këtë e ka marrë nëntorin e vitit 2017, ndërsa zotëronte 5 armë.

    Shoqata e policisë së Zelandës së Re, sipas raporteve në mediet vendase, ka kërkuar ndalimin e armëve gjysmëautomatike. Ka pasur disa përpjekje të mëparshme për ashpërsimin e ligjit të armëve në vend, por ato kanë dështuar për shkak të lobit të fuqishëm të armëve, si dhe kulturës mjaft të përhapur të gjuetisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!