×
  • Lajme
  • Botë

    Publikohet raporti i OKB-së: Bota kurrë nuk ka pasur më shumë banorë sesa sot

    Reporteri
    18 Qershor 2019 | 11:06

    Popullsia në botë po bëhet gjithnjë më e vjetër dhe, megjithëse numri po rritet me një ritëmtë ngadaltë, pritet të arrijë një shifër prej 9.7 miliardë nga 7.7 miliardë në vitin 2050, njoftuan dje Kombet e Bashkuara në një raport të publikuar, shkruan Reporteri.net.


    Raporti më i fundit i Departamentit të Çështjeve Ekonomike dhe Sociale të OKB-së parashikon që popullsia e botës mund të arrijë kulmin prej gati 11 miliardë deri në fund të këtij shekulli.   

    Bota nuk ka pasur kurrë kaq njerëz sa ka sot. Kina ka numrin më të madh të banorëve 1,4 miliardë, pasuar nga India me 1,355 miliardë.  Mbas dhjetë vjetësh pritet që India të kthehet në vendin me numrin më të lartë popullsie, duke i zënë vendin Kinës.

    John Vilmot, drejtor i departamentit, megjithatë thekson se 2100 vjet janë ende shumë larg  dhe se një rezultat i tillë nuk është i garantuar.

    Parashikimet tregojnë se nëntë vende do të jenë “përgjegjëse” për më shumë se gjysmën e rritjes së pritur të numrit të banorëve nga nga sot  e deri në vitin 2050: India, Nigeria, Pakistani, Kongo, Etiopia, Tanzania, Indonezia, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara. Në Afrikën Sub-Sahariane pritet që numri i banorëve pothuajse të dyfishohet në vitin 2050, njofton AP.

    Është thënë gjithashtu se popullsia e botës po plaket për shkak të pritshmërisë më të gjatë të jetës dhe uljes së fertilitetit.

    Është parashikuar që midis  viteve 2019 dhe 2050, popullsia do të bjerë me një ose më shumë për qind në më shumë se 55 vende ose rajone, nga të cilat në 26 prej tyre mund të bjerë deri në  10 për qind.

    “Në Kinë, për shembull, vlerësohet se midis viteve 2019 dhe 2050, popullsia do të bjerë për 31.4 milionë, që është rreth 2.2 për qind” , thuhet në raport. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!