×
  • Lajme
  • Botë

    SHBA nuk angazhohet për anëtarësimin në NATO të Ukrainës

    Reporteri
    08 Prill 2021 | 8:23

    Shtetet e Bashkuara riafirmuan angazhimin e tyre ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës të martën, por ndaluan së mbështeturi publikisht thirrjen e Kievit për një rrugë më të shpejtë drejt anëtarësimit në NATO.


    “E kemi diskutuar prej kohësh këtë aspiratë me Ukrainën,” u tha gazetarëve sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki.

    “Ne jemi mbështetës të fortë të tyre,” shtoi ajo. “Por ky është një vendim që duhet ta marrë NATO.”

    Ukraina, së bashku me SHBA-në dhe aleatët e tjerë perëndimorë, kanë shprehur shqetësim në rritje rreth lëvizjeve të trupave ruse në ditët e fundit përgjatë kufirit ukrainas që disa e shohin si një përpjekje për të frikësuar Kievin.

    Gjatë telefonatave më herët të martën me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg dhe Kryeministrin kanadez Justin Trudeau, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy i bëri thirrje aleancës t’i dërgojë një mesazh Moskës duke e lejuar Ukrainën të anëtarësohet.

    “Vetëm reformat nuk do ta ndalojnë Rusinë,” shkroi Zelenskiy në Twitter pas thirrjes me Stoltenberg. “

    @NATO është mënyra e vetme për t’i dhënë fund luftës në #Donbas,” tha ai, duke iu referuar rajonit në Ukrainën lindore, pjesë të së cilës mbahen nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

    “MAP i Ukrainës (Plani i Veprimit të Anëtarësimit) do të jetë një sinjal i vërtetë për Rusinë,” shtoi Zelenskiy.

    Zyrtarët e mbrojtjes të SHBA-së të martën, më 6 prill refuzuan komentin mbi kërkesën e Ukrainës për anëtarësim në NATO, megjithëse ata shprehën shqetësim të vazhdueshëm për veprimet e Rusisë.

    “Ne vazhdojmë të shohim forcat ruse të grumbulluara përgjatë kufirit me Ukrainën, veçanërisht në Krime, më shumë drejt juglindjes,” u tha gazetarëve sekretari i shtypit i Pentagonit John Kirby, duke i quajtur lëvizjet ruse shqetësuese.

    “Ne i bëjmë thirrje Rusisë t’i bëjë qëllimet e tyre më të qarta se çfarë po bëjnë me këtë grup forcash përgjatë kufirit,” tha Kirby .

    “Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje për armëpushime të kërkuara nga Marrëveshja e Minskut … dhe për të qetësuar situatën,” tha ai.

    Ukraina thotë se granatimet nga forcat pro-ruse në Donbas kanë vrarë 24 ushtarë këtë vit dhe tetë në vetëm dy javët e fundit.

    Rusia ka mohuar që lëvizjet e saj ushtarake të paraqesin një kërcënim për Ukrainën.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!