×
  • Lajme
  • Botë

    Si u kap nga qentë, momentet e fundit të frikës dhe tmerrit para vdekjes së Al-Baghdadit

    Reporteri
    29 Tetor 2019 | 15:13

    Pasditen e së shtunës, 8 helikopterë amerikanë transportuan 100 pjesëtarë të forcave speciale. Nga Iraku, ata fluturuan për 70 minuta përmes Sirisë, duke kaluar në një shteg të rrezikshëm. Pilotët fluturuan ulët për të shmangur evidentimin.


    CNN-i, me anë të një animacioni 3D, ka bërë të mundur rindërtimin e operacionit që rezultoi me vdekjen e liderit të ISIS, Abu Bakër al-Baghdadi. Një informator brenda organizatës terroriste zbuloi për forcat kurde vendndodhjen e Al Baghdadit. Madje garantoi veshmbathje dhe kampionë gjaku, që u përdorën për teste ADN-je, përpara zhvillimit të aksionit.

    “Synimi ishte ta arrestonim, por sigurisht nëse nuk do ta kapnim do ta vrisnim”, tha Mark Esper, sekretar i Mbrojtjes.

    Në animacionin 3D të përgatitur nga reporteri Anderson Cooper, helikopterët hapën zjarr sapo iu afruan godinës, duke lejuar komandot e Delta Forcës dhe qentë e tyre të specializuar të preknin tokën. Duke ditur që dera kryesore ishte minuar, forcat speciale amerikane shembën pjesë të ndryshme të rrethimit për të hyrë në godinë. Më pas filloi shkëmbimi i zjarrit.

    Gjatë përleshjes me armë, disa luftëtarë të ISIS u vranë, të paktën 2 të tjerë u kapën dhe 11 fëmijë u vendosën nën mbikëqyrje. Gjatë operacionit u vranë dhe dy gra të Al Bagdadit, të cilave iu gjetën dy jelekë me eksploziv të pashpërthyer. Vetë lideri i ISIS u arratis në një tunel nëntokësor, duke marrë dhe 3 fëmijët e tij me vete. Një qen ushtarak u lëshua në ndjekje të Al Baghdadit, ndërsa komandot amerikanë ishin pas. Në atë moment, lideri terrorist hodhi veten dhe 3 fëmijët e tij në erë.

    “U munduam ta ndalonim dhe i bëmë thirrje të dorëzohej, por ai refuzoi”. Në operacionin që zgjati 2 orë, qeni i specializuar dhe 2 komando mbetën të lënduar lehtë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!