Sulmuesi i dyshuar paraqitet në gjykatë, akuzohet për vrasje masive

I dyshuari kryesor për sulmin masiv që ndodhi në Zelandën e re, ku mbetën të vrarë 49 persona, është paraqitur në një gjykatë të këtij shteti. Ai akuzohet për vrasje të shumëfishtë.

Brenton Tarrant, 28-vjeçar, i cili ka shtetësi australiane, është paraqitur në gjykatë me duar të lidhura me pranga dhe me një rrobë të bardhë për të burgosur. Pritet që përpos akuzës për vrasje, ai të përballet edhe me akuza tjera të rënda.

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, ka deklaruar se sulmuesi i ka përdorur pesë armë për ta kryer sulmin, duke shtuar se ligjet për armëmbajtje në shtetin e saj do të ndryshojnë.

Përpos të dyshuarit kryesor, në paraburgim janë duke qëndruar edhe dy persona tjerë. Sipas autoriteteve, asnjëri prej tyre nuk ka të kaluar kriminale.

I dyshuari kryesor do të mbahet në paraburgim deri në paraqitjen e radhës në gjykatë, e cila është caktuar për 5 prill.

Gjatë paraqitjes në një konferencë për medie të shtunën, zonja Ardern tha se armët e përdorura në këtë sulm kanë qenë të modifikuara dhe se vetura e sulmuesit të dyshuar ka qenë e mbushur me armë, duke dhënë shenjë se ai ka pasur për qëllim që ta vazhdojë sulmin dhe të vrasë më shumë njerëz.

Ajo shtoi se shteti do të ofrojë ndihmë financiare për familjarët e viktimave dhe për ata që kanë qenë të varur financiarisht nga personat e vrarë, shkruan “BBC”, transmeton Reporteri.net