×
  • Lajme
  • Botë

    Tre ish-presidentë amerikanë bashkohen për të ndihmuar refugjatët afganë

    Reporteri
    15 Shtator 2021 | 16:11

    Tre ish-presidentë amerikanë u bashkuan për të mbështetur “Welcome.US”, organizatë që mbështet refugjatët afganë që shkojnë në SHBA.


    George W. Bush, Bill Clinton dhe Barack Obama, së bashku me gratë e tyre, me grupet e mbështetësve janë anëtarë të organizatës që do të ndihmojë mijëra afganë që u larguan nga vendi i tyre nga frika e hakmarrjes nga talebanët pasi ndihmuan forcat amerikane dhe ato aleate.

    Presidenti amerikan, Joe Biden, evakuoi trupat amerikane që nga 30 gushti, duke i dhënë fund dislokimit të tyre gati 20-vjeçar në vend.

    “Mijëra afganë qëndruan me ne në vijat e para për të punuar për një botë më të sigurt, dhe tani ata kanë nevojë për ndihmën tonë. Ne jemi krenarë që mbështesim ‘Welcome.US’ dhe punën për të ndihmuar familjet afgane të vendosen dhe të ndërtojnë jetë të reja”, thanë George W. Bush dhe gruaja e tij Laura në një deklaratë. “Ne jemi të gatshëm t’u tregojmë fqinjëve tanë të rinj afganë dhe pjesës tjetër të botës se si një shpirt mikpritës dhe bujar formon shtyllën kurrizore të asaj që e bën vendin tonë kaq të madh”.

    Ishte Bush ai që si president nisi pushtimin amerikan të Afganistanit pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 në Qendrën Botërore të Tregtisë në New York dhe Pentagon në Washington DC. Lufta vazhdoi gjatë presidencës së Obamës dhe të Donald Trumpit, duke arritur kulmin me vendimin e Bidenit për të tërhequr forcat amerikane në fund të muajit të kaluar. Kjo në mënyrë efektive nënkuptonte që të gjitha forcat aleate duhej të largoheshin.

    “Welcome.US” mbështetet gjithashtu nga bizneset amerikane, përfshirë gjigantin e kafesë Starbucks dhe Microsoft, si dhe shoqatat joqeveritare dhe ato të veteranëve. Një numër udhëheqësish shtetërorë amerikanë thanë se do të ishin të lumtur të pranonin refugjatët afganë në komunitetet e tyre.

    Rreth 73.500 “shtetas të vendeve të treta dhe civilë afganë” janë larguar nga Afganistani, tha gjenerali Kenneth F. McKenzie Jr., komandant i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), në një konferencë për media më 30 gusht.

    Njoftimi i “Welcome.US” vjen teksa anëtarët e Kongresit ndjekin tërheqjen, kurse republikanët kritikojnë sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për kontrollin e sigurisë së refugjatëve. \AA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!